Mbetet i lartë numri i pacientëve në spitale

24 orët e fundit shënuan një tjetër rritje të ndjeshme të viktimave dhe infektimeve me koronavirus në vendin tonë. Ministria e Shëndetësisë njoftoi se 5 pacientë humbën jetën në spitale. Ata janë 2 qytetarë nga Tirana, 2 nga Elbasani dhe 1 nga Shkodra të moshave nga 56 në 77 vjeç. Shkon kështu në 2 528 numri i jetëve të humbura në vendin tonë që nga nisja e pandemisë. Të larta mbeten sërish shifrat e pacientëve në spitale ku po trajtohen 152 persona nga të cilët 18 janë në gjendje më të rënduar në terapi intensive.

Një rritje të ndjeshme pësuan në 24 orët e fundit edhe infektimet e reja. Nga 6732 testime të kryera kanë rezultuar pozitivë me covid19, 1079 persona. 339 raste më shumë se një ditë më parë. Pjesa më e madhe e rasteve të reja janë identifikuar në Tiranë me 384 të tillë. Më pas vijnë Shkodra me 96 raste dhe Durrësi me 58 infektime të reja. Janë këto 3 qarqe që kanë aktualisht edhe numrin më të madh të të sëmurëve aktivë që në të gjithë vendin numërohen gati 12 mijë e 400 persona. Gjithsesi raste të reja ka pothuajse në të gjitha bashkitë.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se 804 qytetarë e kanë kaluar sëmundjen në 24 orët e fundit duke e çuar në mbi 138 mijë numrin e të shëruarve që nga nisja e pandemisë.

Tv Klan