Në një tryezë të organizuar për 5-vjetorin e Reformës në Drejtësi, ambasadorja amerikane Yuri Kim deklaroi se tashmë është momenti që të krijohet besimi te qytetarët e zakonshëm se duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë me të gjithë.

Gjatë fjalës së saj, ambasadorja Kim tha se askush nuk është mbi ligjin dhe shumë institucionet e reja të drejtësisë kanë treguar se funksionojnë, pavarësisht vështirësive dhe përpjekjeve të elementëve të caktuar për ta ndaluar.

“Reforma në Drejtësi nuk ka qenë e lehtë, por tashmë jemi duke parë rezultate. Të gjitha institucionet e krijuara janë tashmë plotësisht funksionale, disa nuk janë plotësisht të plotësuar, por janë funksionale. Sikurse kemi parë nga lajmet, SPAK dhe BKH janë funksionale dhe janë duke dhënë rezultat. Vettingu i fuqishëm i gjyqtarëve dhe prokurorëve ka shkulur zyrtarë të shumtë të korruptuar. Ligji zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë. As edhe një nuk është mbi ligjin dhe ju përket institucioneve  të drejtësisë që të tregoni përmes veprimeve tuaja se kjo është e vërtetë dhe do të mbetet e vërtetë. Shumë kanë thënë që nuk ka për të ndodhur, por është duke ndodhur. Shumë do vazhdojnë të shpresojnë dhe veprojnë që ta parandalojnë veprimin e saj. Por është puna e gjithësecilit rreth kësaj tryeze por kryesisht e shqiptarëve që të rikonfirmojnë detyrën tuaj dhe ta përmbushni detyrën tuaj sikurse populli juaj ju beson që ta bëni. Tashmë është koha që të hapni një epokë të re në Shqipëri ku qytetari i zakonshëm të ketë shpresë se do të ketë një trajtim të barabartë në jetë. Ky është fillimi, ju keni bërë një nisje të mirë, por më shumë duhet bërë”.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara e konsideron moment kyç këtë periudhë, kur thotë se në 5-vjeçarin e ardhshëm duhet të tregohet qartësisht se drejtësia do të mbizotërojë mbi gjithçka.

“Është një çast kritik. SHBA ju nxisin, janë me ju dhe duam t’ju shohim që të vazhdoni me punën e mirë. Ne e kjemi mbështetur Refomën në Drejtësi fuqimisht që nga fillimi, do të jemi me ju deri në fund. Mbështetja e SHBA ka filluar me administratën e Obamës, vazhdoi me administratën e Trump dhe me admninistratën e Biden kjo mbështetje do të fuqizohet. Është koha për të pasur një vështrim të mirë, të qartë dhe objektiv për atë që është bërë dhe të vazhdoni të përmirësoheni. E sotmja është koha e mirë për të nisur diskutim për 5 vitet e ardhshëm, në mënyrë që të ketë ndryshim të vërtetë, ju përket juve që të rrokni ndryshimin, që të bëni që sistemi të funksionojë për të gjithë, dhe atyre që kanë përfituar nga sistemi i prishur t’u tregoni që nuk mund të vjedhin më nga populli shqiptar. Ka ardhur koha të tregoni që drejtësia do të mbizotërojë”. /tvklan.al