Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Çdo klandestin i huaj që futet në Shqipëri, ka të drejtë të kërkojë azil nga shteti ynë. Deri tani azil kanë kërkuar rreth 60 shtetas të huaj, të persekutuar politikisht në vendet e tyre. Në vitin ’98, për dhënien e azilit është miratuar edhe një ligj mbi aplikimin e tij. Ndërsa në Tiranë ekziston një zyrë për refugjatët.

Nga të gjitha kërkesat e bëra nga kjo zyrë, iu është dhënë mundësia për të marrë azil 15 personave, irakian, sudanez, apo dhe një shqiptar shtetas i Malit të Zi. Sipas Idar Bistrit, juristi i kësaj zyre, pasi bëhet kërkesa për azil, duhet që personi të vërtetojë se në vendin e tij është i persekutuar.

Idar Bistri:- “Janë rreth 15 vetë që e kanë fituar këtë status dhe kanë marrë përgjigje pozitive nga zyra për refugjatët. Janë rreth 11 irakian, së bashku me një çift nga Iraku, të cilit i është dhënë një vendim administrativ, që në vitin ’95. Janë dy nënshtetas sudanez dhe një malazez me origjinë shqiptare”.

Ndërkohë janë dhe 50 persona të tjerë që presin përgjigje për kërkesën e tyre. Pas marrjes së statusit të azilantit, personi fiton të drejtën e një qytetari legal në vendin tonë. Por megjithëse ligjet ekzistojnë, aplikimi i tyre ende është disi i vështirë./tvklan.al