Shërbimet e Policisë Kufitare, në vijim të kontrolleve të imtësishme, me qëllim parandalimin e azilkërkimit, të mos lejimit të atyre personave që kanë shkelur afatet e qëndrimit apo që nuk përmbushin kriteret për të udhëtuar në vendet e BE-së, gjatë paradites së sotme kanë goditur një tjetër rast të tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë Kufitare.

F. A., 36 vjeç, rreth orës 09:30 është paraqitur në aeroport, për të udhëtuar drejt një vendi të BE-së. Pas mbërritjes në kabinën e kontrollit kufitar, ky person ka paraqitur pasaportën e tij si dokument udhëtimi dhe boarding pass.  

Nga ana e efektivëve të Policisë Kufitare i është kërkuar një dokumentacion shtesë që të justifikonte qëllimin e udhëtimit të tij, pasi u konstatua se kishte konsumuar afatin e qëndrimit në zonën Schengen. Ky person nuk ka pasur ndonjë dokument qëndrimi në vendet e zonës Schengen dhe për këtë arsye është njoftuar nga ana e punonjësve të Policisë Kufitare se do i refuzohej dalja nga Shqipëria.  

Pasi ka marrë këtë njoftim, 36-vjeçari ka nxjerrë një kartëmonedhë 50 euro, me të cilën ka tentuar të korruptojë punonjësit e Policisë Kufitare.  

Menjëherë, shërbimet e Policisë Kufitare kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit F. A., për veprën  penale “Korrupsioni aktiv i personave qe ushtrojnë funksione publike”. Materialet në ngarkim të tij do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

“Policia Kufitare apelon për të gjithë ata qytetarë që duan të qarkullojnë drejt vendeve të BE-së, që të plotësojnë të gjitha kriteret për të qarkulluar dhe të mos tentojnë të korruptojnë punonjësit e Policisë, pasi do përballen me ligjin”, thuhet në një njoftim./tvklan.al