“Fratelli d’Italia” kërkon hetim për policinë: Çështja të diskutohet në parlament

Mbyllja e një misioni është gjithnjë një moment për të festuar. Por disa mjekëve dhe infermierëve shqiptarë nga grupi i 30 bluzave të bardha që shkuan në Itali për të ndihmuar për pandeminë, festa e përfundimit me sukses të misionit të tyre të vështirë, u ka kushtuar shtrenjtë.  

9 prej tyre janë gjobitur mbrëmjen e të mërkurës me nga 500 euro secili dhe po hetohen për kundërshtim të forcave të rendit. Gjithçka ka ardhur pas një ankese të bërë nga pronari i hotelit ku ata qëndruan për 1 muaj, në Breshia.

9 mjekët dhe infermierët po festonin në një dhomë, kur në hotel ka mbërritur policia. Gazeta Corriere della Sera shkruan se disa prej tyre kanë replikuar, pasi e kanë konsideruar të tepërt ndërhyrjen e forcave të rendit. Por për policinë, prishja e qetësisë publike dhe grumbullimi në një dhomë gjatë kohës së Covid-19 nuk është e lejueshme as për personelin mjekësor.

Policia e Breshias ka injoruar shpjegimet e tyre dhe faktin se ata ishin aty për të ndihmuar Italinë në mënyrë vullnetare, për të kapërcyer pandeminë. Për këtë ngjarje, këshilltari i partisë politike Fratelli D’Italia, Xhanpaolo Natali, në një prononcim për Televizionin Klan thotë se e ka parë të tepërt ndërhyrjen e policisë.

“Po festonin në dhomën e tyre, ndoshta me zë pak më të lartë, por nuk më raportojnë që të kenë shkaktuar dëme. Nuk mund të dënoj forcat e policisë që i janë referuar ligjit, por mund të them që edhe këta mjekë festuan me të drejtë në përfundim të punës së tyre. Po festonin para se të ktheheshin në shtëpi, ose nuk njihnin dekretet në fuqi dhe u bashkuan në këtë dhomë për të festuar”.

Natali thotë se do kërkojë një hetim nga parlamenti italian për mënyrën si kanë shkuar gjërat.

“Kërkojmë që të sqarohet kjo situatë dhe të bëhet një hetim parlamentar se si qëndrojnë gjërat. Duam të qartësohet kjo situatë, pasi na duket absurde që mjekë dhe infermierë shqiptarë që vijnë në Itali në një moment kaq të vështirë, duke rrezikuar shëndetin e tyre të penalizohen. Unë nuk akuzoj asnjë, por them që një situatë tillë e duhet sqaruar”.

Politikani italian vlerëson maksimalisht gjestin e bërë nga qeveria shqiptare për të ndihmuar vendin e tij në një situatë të vështirë.

“Personalisht dhe në emër të popullit breshian dhe italian e veçoj këtë ndihmë të çmuar nga ana e të gjithëve. Duhet të falenderojmë mjekët shqiptarë dhe kryeministrin shqiptar me fjalët e thëna, duke shfaqur gadishmërinë për të ndihmuar popullin italian”.

Vetë mjekët shqiptarë nuk e kanë komentuar deri tani ngjarjen e një nate më parë, por realizuan këtë video përpara nisjes për në Shqipëri.

Tv Klan