Mbi 500 investitorë ndërkombëtarë, 200 investitorë shqiptarë dhe rreth 30 eksportues shqiptarë do të mblidhen së bashku me 27 Mars në Tiranë në aktivitetin më të rëndësishëm “Match Maker Albania 2025”.
Në këtë ngjarje të rëndësishme për zhvillimin e bizneseve do të jenë 20 shtete të përfaqësuara nga institucione dhe biznese dhe do të jenë 30 projekte private dhe shtetërore për të investuar.
Eksportuesit shqiptarë do të kenë mundësinë të lidhen me tregjet ndërkombëtare në takimin e organizuar nga Agjencia Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve dhe mbështetet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Enterprise Europe Network Albania.
Ndër të tjera kjo ngjarje është një mundësi e jashtëzakonshme për të prezantuar investimet vendase dhe të huaja në Shqipëri, si dhe për të shfaqur potencialin e vendit tonë dhe për të krijuar bashkëpunime të reja me kompanitë globale.
Pjesëmarrja e eksportuesve shqiptarë në “Match Maker Albania 2025” paraqet gjithashtu mundësi për krijimin e lidhjeve strategjike me blerës dhe partnerë ndërkombëtarë.
Përmes takimeve të strukturuara, bizneset eksportuese do të kenë mundësinë të prezantojnë produktet dhe bizneset e tyre përballë një audience të përzgjedhur investitorësh dhe biznesesh të huaja, duke forcuar praninë e tyre në tregjet globale dhe duke kontribuar në rritjen e eksporteve shqiptare.
Klan News