Humbin jetën 2 qytetarë, 374 të shtruar në spitale

Shqipëria shënon një tjetër rekord sa i përket rasteve të reja me koronavirus. Në 24 orët e fundit janë konfirmuar pozitivë 501 persona, nga 1942 testime. Tirana mbetet vatra kryesore e infektimeve me 219 raste, ndërsa më pas vjen Elbasani, Korça e Gjirokastra.

Ndërkohë është shënuar ulje e viktimave nga Covid. Gjatë 24 orëve kanë humbur jetën një 59-vjeçare nga Lushnja dhe një 73-vjeçar nga Tirana, me sëmundje bashkëshoqëruese, duke çuar në 559 numrin e atyre që nuk ia kanë dalë dot me sëmundjen.

Vijon të mbetet i lartë numri i qytetarëve të shtruar në spital. Janë 374 pacientë që po trajtohen në 3 spitalet Covid, prej të cilëve 13 janë në terapi intensive, ndërsa 4 të intubuar.

Pavarësisht se numri i infektimeve është rritur, personat që shërohen nga koronavirusi janë shumë herë më pak, vetëm 90 gjatë ditës së fundit. Aktualisht në vendin tonë janë 11 555 qytetarë aktivë me Covid, ku sërish Tirana ka rreth gjysmën e të infektuarve.

Tv Klan