vetevrasje

Për gati dy orë, Besim Pengili kërcënoi se do të vrasë me një armë zjarri gruan dhe më pas veten në rrugën “Jordan Misja” në Tiranë. 54 – vjeçari, me probleme të shumta familjare, me automatik kallashnikov të cilin e mbante pa leje në shtëpi, vuri në alarm Policinë e Tiranës dhe Repartin Special, RENEA.

Fillmisht u raportua për një situatë pengmarrje, por më vonë u sqarua se bëhej fjalë për një konflikt në familje. Në gjendje të rëndë psikologjike, Pengili mori armën duke ia drejtuar të shoqes, e cila kishte marrë nga gjykata një urdhër mbrojtje.

Kjo e fundit arriti që me shpejtësi të marrë nipin e saj të vogël dhe të largohet nga banesa. Ndërkaq në shtëpi mbeti 54 – vjeçari me vajzën e tij 26 – vjeç.

Gjatë gjithë kohës ai kërcënonte se do të vriste veten. Ishte vajza që ka arritur ta bindë që ai të dorëzohet. Ajo negocioi me babain e saj që të ulë armën. Pas negociatave, efektivët e RENEA-s e kanë bindur Besim Pengilin të vetdorëzohet.

Ai njihet nga banorët e rrugës “Jordan Misja” si person problematik, pasi vuan nga depresioni dhe disa herë të tjera kishte dhunuar të shoqen.

Policia tha se sekuestroi armën dhe dhe dy karikatorë me fishekë. Ndaj tij tashmë rëndojnë disa akuza, si dhunë në familje, armëmbajtje pa leje dhe kundërshtim të vendimeve të gjykatës.

Tv Klan