Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) njoftoi të martën se në spitalet dhe klinikat e Kosovës, po trajtohen 883 pacientë me COVID-19.

Prej tyre, 734 janë duke u trajtuar me oksigjeno-terapi ndërsa 55 me gjendje të rënduar shëndetësore janë të vendosur nën kujdes intensiv.

Më 13 shtator, në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja, që kanë për qëllim parandalimin e përhapjes së mëtejme të sëmundjes COVID-19. Kosova javëve të fundit po përballet me rritje të rasteve dhe vdekjeve nga koronavirusi.

Katërmbëdhjetë viktima nga koronavirusi u konfirmuan të hënën në Kosovë, bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë. Sipas raportit të saj ditor, në 24 orët e fundit u konfirmuan edhe 259 raste të të infektuarve.

Rastet e reja rezultuan pas testimit të 5,505 mostrave. Shifra prej 259 i bie që 4.7 për qind e të testuarve dolën pozitivë.

Të hënën u raportuan të shëruar 870 pacientë, ndërsa numri i rasteve aktive mbetet 17,000./REL