Imunizimi i efektivëve me vaksinën Sputnik V dhe Sinovac, nis nga Policia e Tiranës

Ditët e para të muajit Prill pritet të nisë vaksinimi i punonjësve të policisë, të cilët janë në vijën e parë të luftës me pandeminë. Nisja e vaksinimit do të kryhet pasi efektivët janë të vendosur për të kontrolluar masat anti-Covid, por dhe për të ruajtur rendin dhe distancën në qendrat e vaksinimit.

Këto pamje janë në qytetin e Shkodrës, ku efektivët ndërhyjnë për të ruajtur distancën dhe këshillojnë të moshuarit.

Ministria e Shëndetësisë ka hartuar listën me efektivët që kanë prioritet të vaksinohen.

5 mijë e 500 efektivë policie janë në listën e parë që do marrin vaksinën anti-Covid.

Në total janë 11,645 punonjës, ndërsa për imunizimin e efektivëve, do të përdoret vaksina Sputnik dhe ajo Sinovac.

Vaksinimi i uniformave blu do të nisë nga drejtoria e policisë së Tiranës, për të vijuar më pas me drejtoritë e tjera vendore.

Në listën e dërguar ministrisë, janë punonjësit e Patrullës së Përgjithshme, reparti Shqiponja dhe ata të Policisë Rrugore. Pas tyre pritet të vaksinohen specialistët e zonave dhe punonjësit civilë.

Autoritetet ende nuk kanë hartuar strategjinë si do bëhet vaksinimi i efektivëve, ndërsa po shqyrtohet të bëhen në ambiente të veçanta për të përshpejtuar procesin.

Prej nisjes së pandemisë janë infektuar më shumë se 2 mijë punonjës policie, ndërsa kanë humbur jetën 28.

Klan News