Bie numri i pacientëve të shtruar në spitale

Numri i viktimave nga koronavirusi ishte më i ulët këtë të enjte, e rënie shënuan edhe infektimet ditore. Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë 6 persona të tjerë humbën jetën, duke e çuar në 2,855 numrin total të viktimave që nga nisja e pandemisë. 3 nga qytetarët ishin nga Tirana, ndërsa të tjerët i përkisnin Fierit, Vlorës e Beratit. Më i riu mes tyre ishte 57 vjeç.

Autoritetet shëndetësore raportojnë edhe për një rënie të infektimeve ditore. Nga 3677 testime rezultuan pozitiv me virus 566 qytetarë, 93 më pak se të mërkurën. Kryeson Tirana me 262 infektime, e ndjekur nga bashkia Fier, Durrës, Shkodër, Kamzë e Berat. Rastet aktive në vend mbeten nën 7 mijë.

Ndërsa në Spitalet COVID po trajtohen 137 pacientë, nga të cilët 15 janë në gjendje më të rënduar. Në 24 orët e fundit janë negativizuar  513 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në mbi 170 mijë që nga fillimi i epidemisë.

Tv Klan