Ashpërsohen masat për lëvizjen e qytetarëve  

Ministria e Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut ka njoftuar për tre viktima dhe 15 raste të reja me koronavirus që janë regjistruar gjatë 24 orëve të fundit. Numri i përgjithshëm i të prekurve nga COVID-19 për momentin është 570 persona.

“Gjatë 24 orëve të kaluara janë regjistruar 15 raste të reja. Katër në Shkup, 8 në Kumanovë, nga një rast në Tetovë, Strugë dhe Shtip. Me këtë numri i përgjithshëm i pacientëve të prekur nga koronavirusi shkon në 570. Në Klinikën Infektive në Shkup kanë ndërruar jetë tre pacientë, dy nga Tetova, të moshës 69 dhe 65-vjeçare dhe një 40-vjeçar nga Kocana”, tha ministri i Shëndetësisë.

Në periudhën e ardhshme, sipas autoriteteve, pritet rritje e madhe e numrit të infektuarëve. Për këtë qëllim qeveria e Maqedonisë së Veriut ka përforcuar masat për kufizimin e lëvizjes.

“Ndalohet lëvizja për të gjithë qytetarët në nivel të gjithë shtetit, çdo ditë pune, nga e hëna deri të premten nga ora 16:00 deri ora 05:00 të mëngjesit. Gjatë fundjavës prej orës 16:00 të premten deri ora 05:00 të hënën. Këtë vit Festat e Pashkëve dhe Ramazanit duhet t`i kalojmë nëpër shtëpi”, tha ministri i Shëndetësisë.

Masat e reja shtrënguese janë përkrahur edhe nga personeli mjekësor në vend.

“Në këtë periudhë nuk kemi mënyrë tjetër, nuk kemi ilaç specifik, nuk ekziston vaksina, nuk ka masa tjera që mund ta ndalojë apo amortizojë përhapjen e mëtejshme të epidemisë”.

Në Klinikën Infektive në Shkup, për momentin ka 70 pacientë prej të cilëve tetë janë në ventilim mekanik. Gjithashtu janë ndarë 1000 shtretër për të sëmurët nga COVID-19 që do të thotë një presion shtesë për sistemin shëndetësor, nëse realizohen parashikimet që deri në fund të Prillit numri të rritet për katër ose pesë herë. Për këtë shkak autoritetet bëjnë thirrje që qytetarët në maksimum t`i respektojnë masat dhe rekomandimet për izolim shtëpiak. 

Klan Macedonia