Dhjetra persona kanë humbur jetën nga përmbytjet masive në Gjermani, pasi reshjet e dendura të shiut bënë që lumenjtë të dilnin nga shtretërit.

58 të vdekur janë raportuar në Gjermani. Por situata është e rëndë edhe në shtete të tjera. Belgjika është prekur gjithashtu nga përmbytjet, ku 9 persona kanë humbur jetën përfshirë edhe një vajzë 15-vjeçare. Moti i keq ka prekur edhe Holandën, raporton BBC.

Reshjet më të dendura janë parashikuar për ditën e premte, kur pritet edhe një përkeqësim i motit. Zyrtarët lokalë fajësojnë ndryshimet e klimës dhe ngrohjen globale për këto fatkeqësi natyrore.

Teksa vendi i saj është goditur nga përmbytjet masive, Kancelarja gjermane Angela Merkel ndodhet për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përpara takimit me Presidentin amerikan Joe Biden, Merkel  e konsideroi “katastrofë” situatën dhe shprehu ngushëllimet për familjarët e viktimave.

“Mendimet e mia janë sot me ju. Besoni tek forcat e qeverisë sonë, federale dhe rajonale, do të bëjmë gjithçka për të shpëtuar jetë, për të lehtësuar rreziqet dhe shqetësimet tuaja”, tha Kancelarja Merkel.

Shkollat në Perëndim të Gjermanisë janë mbyllur, ndërsa transporti publik është ndërprerë. Në zonat e prekura kanë shkuar ushtarët dhe helikopterët e ushtrisë për t’u ardhur në ndihmë banorëve.

Disa prej tyre ishin ngjitur mbi çatitë e shtëpive për t’i shpëtuar rrjedhës së ujit. Shumë shtëpi janë shkatërruar dhe 25 të tjera janë në rrezik shembje në rajonin Schuld bei Adenau, aty ku dhe është shpallur gjendja  e emergjencës. /tvklan.al