Shënohen 8 humbje jete dhe 594 raste të reja

Numri i fataliteteve nga Covid u rrit sërish këtë të premte e po ashtu edhe ai i infektimeve. Ministria e Shëndetësisë raportoi se 8 qytetarë të tjerë humbën jetën si pasojë e infektimit me Covid, duke e çuar në 2,863 numrin total të viktimave që prej nisjes së pandemisë në vendin tonë. Katër prej tyre ishin nga Tirana, ndërsa të tjerët i përkisnin Gjirokastrës, Durrësit, Vlorës dhe Beratit.

Nga 3180 testime të kryera kanë rezultuar pozitivë me Covid-19, 594 qytetarë. Harta e përhapjes së virusit edhe në këto 24 orë është e shtrirë thuajse në gjithë vendin, por Tirana kryeson listën me 237 raste dhe pas saj vjen Durrësi me 45 raste, Fieri me 43 raste, Shkodra me 33 raste, Elbasani me 32 raste.

Ndryshe paraqitet situata në spitale, ku edhe këtë 24 orësh numri i pacientëve të shtruar shënoi sërish rënie. Aktualisht në spitalet Covid po marrin trajtim 140 pacientë, nga të cilët 11 janë në gjendje më të rënduar.

Autoritetet shëndetësore bën të ditur se janë shëruar 304 qytetarë, ndërsa mbeten edhe afro 6700 raste aktive me Covid.

Tv Klan