Komuniteti shkencor ka dënuar teoritë konspirative që pretendojnë se teknologjia 5G ndihmon në transmetimin e koronavirusit. Një lajm i tillë qarkullon prej kohësh tashmë nëpër rrjete sociale, ku nuk mundojnë video e postime të shpërndara me mijëra herë.

Por shkencëtarët thonë se ideja e lidhjes me Covid-19 dhe 5G-së është absolutisht e pavërtetë dhe biologjikisht e pamundur. Madje krerët e shëndetësisë në Britaninë e Madhe i kanë cilësuar këto teori konspirative si “lloji më i keq i lajmeve të rreme”.

Shumë prej postimeve të shpërndara pretendojnë se 5G-ja, e cila përdoret në rrjetin e telefonave celulare dhe mbështetet tek sinjalet e valëve elektromagnetike është në një mënyrë në tjetrën përgjegjëse për koronavirusin. Këto teori duket se dolën fillimisht në Facebook, në fund të Janarit, rreth të njëjtës kohë kur u raportuan rastet e para në SHBA.

Një pretendim është se 5G mund të dobësojë sistemin imunitar duke bërë që njerëzit të jenë më të predispozuar për të kapur virusin. Teoria tjetër sugjeron se virusi mund të transmetohet, në një mënyrë apo një tjetër, nëpërmjet përdorimit të teknologjisë 5G.

Por profesori i mikrobiologjisë qelizore, Simon Clarke, nga Universiteti i Reading i cilëson këto teori “totalisht mbeturina”.

“Ideja që 5G-ja dobëson sistemin nuk ka asnjë lloj baze. Sistemi imunitar i njeriut mund të dobësohet nga shumë gjëra, që nga një ditë e lodhshme deri tek një dietë e keqe ushqimore. Këto gjëra, sado të vogla mund të bëjnë që të jeni më të prirur për të kapur virusin”, shpjegon Clarke për BBC.

Teksa valët e forta elektromagnetike mund të shkaktojnë nxehtësi, 5G nuk është aspak e fortë sa për të shkaktuar nxehtësi të mjaftueshme tek njerëzit, për të pasur një efekt domethënës.

“Valët magnetike mund të çrregullojnë fiziologjinë e njeriut kur ngrohen, që do të thotë se sistemi imunitar nuk mund të funksionojë. Por niveli i energjisë nga valët e 5G janë të fare të vogla dhe e kanë të pamundur që të ndikojnë në sistemin imunitar. Ka pasur shumë studime për këtë“, thotë eksperti.

Për profesorin e pediatrisë në Universitetin e Bristol, Adam Finn, është e pamundur që 5G-ja të transmetojë virusin.

Pandemia prezente shkaktohet nga një virus që kalon nga një njeri i infektuar tek një tjetër. Ne e dimë që kjo është e vërtetë. Madje e kemi virusin në laborator, të marrë nga një njeri i sëmurë. Viruset dhe valët elektromagnetike që përbëjnë telefonat celularë dhe rrjetin e internetit janë gjëra të ndryshme”, thekson ai. //tvklan.al