Minushe Dakuci: Ligjin e bënte kunati, na torturonte gjithmonë

Në 1 Tetor të vitit 2019, Sali Dakuci vrau me armë vëllain e tij, Kujtim Dakuci dhe nipin Flogert Dakuci.

Pas kësaj ngjarjeje, mësohet se autori Sali Dakuci shkoi në banesë dhe u vetëvra.

Dëshmitare në ngjarjen e rëndë ka qenë Minushe Dakuci, e cila e ftuar në “Historia ime” ka rrëfyer gjithë ngjarjen, si pasojë e së cilës humbën jetën bashkëshortin dhe djalin e saj. Ajo rrëfeu në studio se konfliktet mes dy familjeve ishin të shpeshta dhe shkak për këtë ishte një pronë. Sipas saj, kunati i kërcënonte dhe i torturonte.  

Mirela Milori: Si ishte jetesa me familjen e Kujtimit?

Minushe Dakuci: Me Kujtimin shumë e mirë, por me prindërit e Kujtimit…

Mirela Milori: Ti ke pasur problematikë me prindërit e tij?

Minushe Dakuci: Jo unë vetë jo, por vëllai i tij. Ai gjithmonë na torturonte..

Mirela Milori: Si ishte marrëdhënia me ta?

Minushe Dakuci: Jo aq e mirë.

Mirela Milori: Po pse?

Minushe Dakuci: Këto janë gjëra që nuk përmenden. Ishte koha e atillë, që unë kur u martova nuk vendosa shami në kokë dhe vjehrra, gjithmonë për atë shami nxirrte shumë probleme. S’ke vënë shami në kokë, po fshati, budalliqe.

Mirela Milori: Për gjëra të vogla që sillnin probleme të mëdha pastaj?

Minushe Dakuci: Pastaj kanë dalë gjithmonë tek toka, tek ndarja. Kur na kanë ndarë nuk na kanë dhënë asgjë prej shtëpie. 6 vite e mbajtën tokën, pronën kur u ndanë vetë, na jepnin diçka kësthu, gjithmonë ngatërresë.

Mirela Milori: Pra kur u nda prona, ju fillimisht nuk morët atë që meritonit?

Minushe Dakuci: Jo, asnjëherë. Gjithmonë na binin në qafë, se burri im ishte shumë i durueshëm, nuk bënte asnjë lloj, e toleronte vëllain. Ndërsa ai ishte grindavec, pinte. Na torturonte dhe atë vetë që e kam denoncuar isha vetëm me fëmijët e vegjël, na torturonte gjithmonë, na mbyllte brenda.

Mirela Milori: Kunati apo vjehrri?

Minushe Dakuci : Kunati, gjithë ligji ishte i kunatit, por nxirrte gjithmonë vjehrrin dhe vjehrrën në skenë.

Mirela Milori: Si ka qenë marrëdhënia mes dy vëllezërve?

Minushe Dakuci: Ai gjithmonë ka qenë… nuk punonte në shtëpi, Kalamajtë e atij i ka rritur Kujtimi. Ai nuk ishte për asgjë përgjegjës. Me nusen e vet më përpara ka shkuar shumë keq, e rrihte, e torutonte.

Mirela Milori: Vjehrri ju ka akuzuar një moment se keni dhunuar gra të tjera të shtëpisë?

Minushe Dakuci: Për çdo gjë që ndodhte nuk dilte në skenë, ai mbahej si person me emër, edhe nuk donte të binte asnjëherë për keq në sy. Ai nga gabimet që bënte thoshte, jo s’kam gjë me të, është nusja e keqe.

Mirela Milori: Ju keni një konflikt për rrip toke?

Minushe Dakuci: Ne para 7 vitesh, kemi pasur mbjellë domate për treg dhe rruga e makinës ishte vetëm një metër që duhet të futeshe në tokën e atij për të nxjerrë prodhimin, por nuk na linte. Kurse ai, gjithmonë kur shkonte kalonte në tokën time, se unë jam i fortë thoshte, s’dua t’ia di për ju.

Mirela Milori: Pra nuk ju linte të kalonit tek rruga?

Minushe Dakuci: Po vetëm një metër rrugë.

Mirela Milori: Por si e justifikonte?

Minushe Dakuci: Vrasësi dilte dhe thoshte jo nuk e kam bllokuar, nuk do vetë. Para 6 ditësh, se të ndodhte ngjarja e bllokoi rrugën dhe vendosi gurë të mëdhenj, janë akoma, janë pa hequr./tvklan.al