Mbetet i lartë numri i pacientëve në spitale

Infektimet nga koronavirusi në vendin tonë vazhdojnë të jenë të larta. Gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar 275 të prekur nga 1422 testime të kryera. Vatra kryesore e infektimeve mbetet sërish Tirana me 163 raste e ndjekur nga Korça dhe Shkodra.

6 pacientë të tjerë kanë humbur jetën në këto 24 orë. Ata janë një 61-vjeçar nga Korça, një 67-vjeçar nga Pogradeci, një 69-vjeçar nga Lezha, një 71-vjeçar nga Vlora, një 73-vjeçar nga Fieri, si dhe një 74-vjeçar nga Tirana, të gjithë me sëmundje bashkëshoqëruese. Nga fillimi i pandemisë, 499 persona kanë humbur jetën nga koronavirusi në vendin tonë.

Ndërkohë edhe numri i të shtruarve në dy spitalet Covid mbetet i lartë. 291 pacientë po marrin trajtim, 13 prej tyre ndodhen në terapi intensive, nga të cilët 5 janë të intubuar. Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 114 qytetarë, duke e çuar në mbi 11 mijë numrin e të shëruarve në vend që prej fillimit të epidemisë.

Tv Klan