Ashtu siç pritej seanca e fundit plenare për këtë sesion parlamentar nuk prodhoi konsensus për amendimet në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, që i hapin rrugë pranimeve në shkollën e magjistraturës.

Kjo u duk që në nisje të seancës plenare ku opozita bojkotoi punimet e kuvendit.

Jashtë parlamentit kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja hodhi poshtë pretendimet e opozitës për kolaps të sistemit në drejtësi, duke i kujtuar demokratëve se amendimi i bërë në ligj është vendosje e dispozitës tranzitore që mundësonte pranimin e magjistratëve të rinj për vitet akademike 2016-2017 dhe 2017-18.

“Është votuar një herë me 84 vota dhe aktualisht duke qenë se dy organet e reja të drejtësisë, KLD dhe KLP janë në krijim e sipër si dy organe të ngarkuara nga Kushtetuta për të bërë emërimin e magjistratëve të rinj dhe përcaktuar kuotat propozimi ynë synon që ta bëjë direkt ligji në një dispozitë tranzitore. Po spekullohet politikisht. Nuk ka kolaps.”

Por Lulzim Basha nga selia blu, tha se përmes këtij amendimi në shkelje të kushtetutës maxhoranca po tenton të thellojë kapjen e sistemit të drejtësisë, për të cilin tha se është në kolaps.

“Ajo është një shkollë partie…institucion i kapur nga Rama, njerëz të lidhur me një dhe dy brenda PS dhe Partinë e Punës. Arsyeja e kapjes është qe ta ktheje në një kurs partiak dhe synon kapje afatgjate të sistemit…Kurrsesi opozita nuk kthehet në mashë që të legjitimojë kapjen e Shkollës se Magjistraturës në shkolle politike, paanshmëria e shkollës është si Qemal Stafa…”

E vetmja mënyrë bashkëpunimi për Lulzim Bashën është rikthimi i reformës në drejtësi në konsensusin e 22 korrikut të 2016-ës. Paketa 8 pikëshe e propozuar nga opozita synon kthimin në ligjshmëri të ngërçit që sipas saj është krijuar me Gjykatën kushtetuese, Prokurorin e Përgjithshëm, ngritjen e KLGJ e KLP si dhe krijimin e BKH e Spakut.

“Ti qëndrojmë besnik të konsensusit të 22 Korrikut. Po që kjo rrugë të jetë e zbatueshme duhet qe ata që e kanë sjellë këtu të mbajnë përgjegjësi. Hapi i dytë është të jepen garanci nga PS se çfarëdo procesi për të trajtuar këto çështje s’do sabotohet përsëri. Dhe kjo nuk mund të ndodhe me të njëjtët persona…as Ulsi Manja e as Xhafaj nuk kanë besueshmëri.”

Por kreu i Grupit Parlamentar të socialistëve Taulant Balla pas paketës së propozimeve të bëra nga Basha se fshehu habinë për kushtet e vendosura nga opozita.

Konsensus për amendimin e ligjit të magjistraturës kërkoi pak ditë më parë edhe komisioneri për Zgjerimin Johanes Hahn gjatë vizitës që pati në Tiranë.

Tv Klan