Numri i civilëve të vrarë nga policia filipinase ka arritur në 6 mijë, sipas shifrave zyrtare të publikuara nga autoritetet vendase.

Masakra në rrugët e Filipineve është ndërmarrë prej thuajse 6 muajsh nga presidenti i shumëpërfolur i vendit Rodrigo Duterte, i cili ka premtuar se do të shfarosë të gjithë përdoruesit dhe trafikantët e drogës në vend nëse nuk dorëzohen.

Më shumë se 9 mijë përdorues droge janë dorëzuar deri tani, ndërsa janë sekuestruar sasi të mëdha droge që i kalojnë miliarda dollarët. Pamjet e publikuara nga mediat e huaja janë tronditëse, me njerëz të shtrirë pajetë nëpër rrugë. Presidenti shprehet se falë luftës së tij kundër trafikantëve të drogës, Filipinet janë kthyer në një vend për njerëz normal.

Rodrigo Duterte ka zënë shpeshherë faqet e para të gazetave në botë, si pasojë e deklaratave të tij polemizuese. Më herët ai është shprehur se do të vepronte me trafikantët sikur Hitleri me hebrenjve, ndërsa jo pak bujë bëri ofendimi ndaj presidentit amerikan Barak Obama./ TV KLAN