Vetëm 7 sekonda i janë dashur Ilo Llukës për të vrarë 40 vjeçarin Emiljano Pine dhe veten. Në këtë video të siguruar nga Klan News 61 vjeçari i afrohet qetësisht Pines dhe e qëllon me 5 plumba.

Menjëherë drejton armën drejt vetes dhe shkreh edhe plumbin e fundit. Një person i tretë pa gjithë ngjarjen.

Ilo Lluka dyshohet se e vrau 40 vjeçarin për shkak të një konflikti për trashëgiminë e një apartamenti. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se vendimi i babait të autorit për t’i lënë trashëgimi një apartament Emiljano Pinos, që ishte djali i kujdestares së tij ka sjellë kundërshtimin e autorit të kësaj ngjarje, Ilo Llukës.

Ky i fundit jetonte në Greqi dhe pasi ka marrë vesh vendimin e të atit për shtëpinë, është kthyer nga shteti grek për t’i dhënë fund në këtë mënyrë konfliktit mes tyre. Banorët e lagjes ku ndodhi ngjarja tregojnë momentet kur e tmerrit nga të shtënat.

“Isha në shtëpi kur ndodhi ngjarja. Dëgjova krisma, dola jashtë dhe i pashë të dy të shtrirë në rrugë. I njihja të dy personat. Emiljano ishte djalë I shkëlqyer. Nëna e Emiljanos e mbante në shtëpi babain e Ilos prej disa vitesh dhe kujdesej për të, që kur ishte edhe i shoqi gjallë.”

“Dëgjova krisma mbrëmë. I thashë gruas mos janë fishekzjarre dhe nuk dola në moment. Kur dola për të mbyllur derën pashë çfarë kishte ndodhur. Nuk njihja asnjërin prej tyre.”

61 vjeçari Lluka njihej si përdorues i rregullt i pijeve alkoolike.

Klan News