Manastirliu: Gati skuadrat e lëvizshme të mjekëve

6 qytetarë shqiptarë e humbën betejën me Covid-in gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar në 144 numrin e viktimave prej fillimit të pandemisë.

“Një 49 vjeçar nga Shkodra, një 54 vjeçar nga Mirdita, një 58 vjeçar nga Tirana, pa sëmundje të tjera. Si dhe një 56 vjeçar, një 68 vjeçar dhe një 76 vjeçare, nga Tirana, me sëmundje bashkëshoqëruese”

I lartë vijon të mbetet numri i rasteve të reja me një mesatare javore prej  96 personash në ditë. Nga 500 testime të kryera gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar 117 persona pozitiv me Covid – 19. 

“63 raste në Tiranë, 10 në Durrës, 8 në Fier, nga 4 raste në Kukës, Has, nga 3 raste në Krujë, Lushnje, nga 2 raste në Korçë, Elbasan, Kavajë, Tepelenë, Divjakë, dhe nga 1 rast në Shkodër, Kurbin, Lezhë, Vlorë, Mirditë, Mallakastër, Përmet, Sarandë, Dibër, Himarë, Klos, Shijak”

Shqetësuese mbetet situata në të dy spitalet Covid, po trajtohen 114 pacientë, 19 janë në terapi intensive dhe 3 pacientë të intubuar. Ministrja Ogerta Manstirliu tha se do të funksionojnë edhe skuadra të lëvizshme për tu ardhur në ndihmë personave të prekur.

“ Tirana mbetet vatër e nxehtë, por ndërkohë jemi duke u përgatitur për përgjigjen ndaj situatës në të gjithë vendin. Në këtë moment jemi duke ndërtuar edhe më shumë skuadra mobile për pacientët me COVID-19, pra skuadra të lëvizshme të cilat do të ofrojnë ndihmën në banesë sipas protokolleve, sipas gradës së sëmundshmërisë, për ata të cilët do të kenë nevojë për asistencë në shtëpi, apo për transferimin në spital, sipas protokolleve. Përgjatë vjeshtë-dimrit, do të dyfishojmë ekipet tona të terreni”.

Numri i të shëruarve ka arritur në 2745 persona që prej fillimit të pandemisë. 

Tv Klan