229 të prekur, banorët nuk lejohen të dalin nga shtëpitë

Koronavirusi po përhapet me ritme të shpejta në veri të Italisë. Numri i viktimave arriti në 7, ndërsa 229 janë të infektuarit.

Personat qe ndërruan jetë këtë të hëne janë të moshuar 62, 80, 84 dhe 88 vjeç, që të gjithë nga rajoni i Lombardisë. Viktima e fundit vuante nga veshkat dhe prej kohësh i nënshtrohej dializës. Nga ky rajon janë 6 të vdekur, vetëm 1 në Veneto.  

Harta e të prekurve shtrihet në 5 rajone. Krahas Lombardisë e Venetos, të infektuar ka edhe në Piemonte, Emilia Romanja dhe Lacio, siç duket edhe në këtë hartë të publikuar nga mediat italiane.

Autoritetet kanë marrë masa drastike ne përpjekje për të izoluar virusin. Në 10 qytezat e vendosura në karantinë, ku janë shfaqur edhe rastet e para të të prekurve, policia nuk lejon hyrjet dhe daljet.

Këto pamje janë xhiruar në Kastelpusterlengo, pranë Milanos.

Shkollat, universitetet dhe institucionet publike janë mbyllur thuajse në të gjitha qytetet e mëdha. Të përfshirë nga paniku e për të shmangur sa më shumë daljet nga banesat, banorët po furnizohen masivisht me ushqime, duke krijuar radhë të gjata jashtë supermarketeve. Në disa supermarkete ka mungesë ushqimesh për shkak të blerjeve të jashtëzakonshme.

Në farmaci mungojnë maskat.  Nëpër qytet lëvizjet janë të pakta. Teatri i famshëm i operas, La Scala ka anuluar të gjitha shfaqjet për një periudhë të pacaktuar. Karnevalat e Venecias nuk do të zhvillohen.

Masat e ashpra kanë prekur edhe futbollin. Nga 7 ndeshje të planifikuara janë zhvilluar vetëm 2, ndërsa Federata Italiane e Futbollit i ka kërkuar autorizim nga qeveria që ndeshjet të luhen pa tifozë.

Si dëshmi e situatës, televizionet më të mëdha italiane i shfaqen emisionet pa praninë e publikut.  Organizata Botërore e Shëndetësisë do të dërgojë të martën një ekip mbikëqyrësish në terren.

Ministria e Jashtme e Shqipërisë njoftoi se deri më tani nuk ka raste të emigrantëve shqiptarë të prekur nga koronavirusi në Itali. Këtë e pohoi për televizionin Klan edhe mjekja nga epidemiologe Adela Sulejmani që shërben në spitalin e Desios, një qytezë 23 kilometra në veri të Milanos.

Disa vende europiane po ushtrojnë kontrolle të rrepta për të gjithë personat që shkojnë nga Italia. Në aeroportet dhe pikat e kalimit kufitar në Rumani po u nënshtrohen analizave, të gjithë emigrantët rumunë që kthehen nga Italia.

Kontrolle nëpër autobusët, trenat dhe avionët që vijnë nga Italia janë ushtruar edhe në Austri e Francë.

Tv Klan