Numri i përgjithshëm i të sëmurëve arrin në 257 persona

Pas luftës një mujore me infeksionin korona në Maqedoninë e Veriut, numri i të sëmurëve arriti në 257 pacientë, por trendi ende nuk është me shpejtësinë që mund të ngarkojë sistemin shëndetësor. Ministri i Shëndetësisë theksoi se 31-vjeçari nga Shkupi, që është viktima më e re nga gjithsej 6 nga virusi deri më tani, ka pasur fazën më të rëndë të sëmundjes që ka shkaktuar gjakderdhje dhe dështim të mushkërive të bardha.

Prej nesër testimi do të jetë më masiv, ndërsa inspektorët do të kontrollojnë nëse ka pasur papërgjegjësi në mesin e mjekëve nga Ohri, të cilët e kanë refuzuar gruan nga Struga që vdiq gjatë ditës së djeshme, për çka është hequr nga puna drejtoresha e spitalit në Ohër. 

Faktori i vetëm i rrezikut te djali 31-vjeçar, viktima e gjashtë nga virusi korona në Maqedoninë e Veriut ka qenë pesha e tepërt trupore. Përkeqësimin i gjendjes së tij, ministri Venko Filipçe e përshkroi si formën më të rëndë të sëmundjes, e cila siç duket nuk i kursen as të rinjtë. 

“Një faktor rreziku është obeziteti, që e ka pasur, por pasqyra klinike që e ka pasur dhe mënyra e përkeqësimit të pasqyrës klinike është praktikisht forma më e rëndë e përkeqësimit siç është përshkruar në literaturë, përkeqësim i menjëhershëm, rënie e menjëhershme e saturimit, përkatësisht lidhjes së oksigjenit gjatë ditës së  djeshme, menjëherë është vënë në aparat respirator, megjithatë pasqyra klinike me gjakderdhje dhe në një mënyrë dështim i mushkërive të bardha.” 

Pas një muaji pasiqë pacienti i parë i cili nga Italia arriti në Shkup me infeksionin korona, faza më e vështirë do të vijë më pas, vlerëson Filipçe, por shton se shkalla e përhapjes së virusit i lë hapësirë për “të marrë frymë” sistemit shëndetësor në vend. Përkatësisht është më mirë që kemi përhapje lineare, jo eksponenciale të sëmundjes, që do mund të jetë e papërballueshme për spitalet. 

“Në ditët e fundit vërejmë një rrafshim të kurbës, por nuk do të thoja asgjë për momentin, nuk do ta komentoja këtë, përveç që dua të them se jemi optimistë të kujdesshëm.” 

Filipçe sot i bëri thirrje popullatës të vazhdojë me masat për parandalim të përhapjes së sëmundjes, duke qëndruar në shtëpi, pa komunikim fizik dhe me higjienë në nivel, sepse pandemia në botë nuk ndalet, përkundrazi, numri i të sëmurëve rritet dhe virusi nuk kursen askënd. Prej nesër do të ketë pika të reja për testim në Shkup dhe në dy qytete të tjera në Maqedoninë e Veriut, ndërsa do të zgjerohet edhe numri i laboratorëve private që do të bëjnë teste për virusin korona.

Për momentin, thekson ministri, është herët për çfarë do qoftë rezultate nga terapia që u jepet disa pacientëve në Klinikën për Sëmundje Infektive në Shkup, ilaçe kundër malaries plus antibiotik. Duhet të kalojnë 5-6 ditë që të thuhet nëse ky “koktej” ndihmon dhe nëse është kështu ai do t’u jepet edhe pacientëve që shërohen në shtëpi, për momentin të gjithë me pasqyrë të lehtë klinike.

Tv Klan