60 familje rome që preken nga projekti i rehabilitimit të Lumit Tirana, kanë marrë shtëpitë e tyre të reja. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar edhe nga Ambasadori Amerikan në Tiranë, Donald Lu u dorëzuan çelësat e shtëpive dhe shpërndanë pako me ushqime me rastin e Vitit të Ri.

“Për ne është jetike që ta mbajmë fjalën. E kishim premtuar që Viti i Ri do t’i gjente këto familje në shtëpi të reja. Është e rëndësishme që komuniteti të mos ndihet si mish i huaj, por të përqafohet nga të gjithë fqinjët. Besoj se kemi nevojë për këtë lloj integrimi”,

tha kryebashkiaku Veliaj.

Ndërsa vlerësoi projektin për komunitetin rom, Ambasadori Amerikan Donald Lu tha se po i jepet zgjidhje një prej komuniteteve më të vuajtura në vend.

“Kjo është një ditë e gëzueshme. Komuniteti nga Bregu i Lumit ka pasur kushtet më të vështira të jetesës në Shqipëri. Ata kanë bërë një rrugë të gjatë për të mbërritur në këto shtëpi. Shprehim lëvdatat tona për Bashkinë e Tiranës, Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Financës, OSSHE, komunitetin e Lanabregasit dhe Shkozës, veçanërisht për imamin, kryeplakun, OKB, BE-në, OSBE-në, OJQ-të rome, por mbi të gjitha për këtë komunitet të guximshëm rom. Urime për shtëpitë tuaj të reja”

Me mbështetjen e Bashkimit Europian dhe PNUD, 60 banesat e reja janë ndërtuar pranë ish-repartit ushtarak në Lanabregas, në nje sipërfaqe totale prej  prej 11.699 m2 dhe janë organizuar në 15 godina të veçanta.

Tv Klan