Sorensen: Dy javët e fundit u rihapën vendet e punës
Situata e mbylljes së aktiviteteve ekonomike nga pandemia Covid-19 ka bërë që numri i të papunëve zyrtarë, të cilët janë persona që kanë dalë nga sistemi i sigurimeve shoqërore, të shkojë në 60 mijë. Në dy javët e fundit të muajit Prill, totalit të të papunëve i janë shtuar edhe 5 mijë individë të rinj.
Zv/ministrja e Financave Dajna Sorensen sqaron në një intervistë për Televizionin Klan, se pandemia ka sjellë një rritje të numrit të të papunëve, por javët e fundit po shihet një tendencë e bizneseve për të rikthyer në punë punonjësit e hequr apo pezulluar.
Vetëm për Prillin numri i aplikimeve për të përfituar pagesën e papunësisë shkoi në 5500 persona, nga 3 mijë që janë total në këtë skemë. Zv/ministrja e Financave sqaron se ky shërbim ofrohet online dhe u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të lexojnë instruksionet në faqen e Shërbimit Kombëtar të Punësimit dhe të aplikojnë.
Për shkak të situatës së pandemisë, qeveria ka dyfishuar pagesën e papunësisë, nga 13 mijë në 26 mijë Lekë.
Sipas Ministrisë së Financave, përfituesit e pagës së luftës nuk mund të përfitojnë të dyja, edhe pagën e luftës edhe shumën e pagesës së papunësisë.
Tv Klan