I drejtohen vendit edhe pse kufiri është i mbyllur

Edhe pse prej disa ditësh autoritetet tona vendosën mbylljen e kufirit me Greqinë, qytetarët shqiptarë të  mbetur në vendin fqinj,vijojnë t’i drejtohen pikës doganore të  Kapshticës,në përpjekje për të hyrë në Shqipëri.

Policia kufitare  nuk po i lejon edhe pas 48 orësh qëndrimi në temperatura të ulëta, të hyjnë në territorin tonë.

Shumica prej tyre nuk janë pajisur me  leje nga ambasada Shqiptare në Athinë.

Të vetmit që janë lejuar të hyjnë, kanë qenë studentët dhe persona që kishin udhëtuar në Greqi për arsye shëndetësore.

Një pjesë e  qytetarëve të  bllokuar në tokën neutrale,kanë qenë të detyruar të kthehen nga Greqia,për shkak të përfundimit të ditëve të qëndrimit në hapësirën Shengen.

Por edhe emigrantët ,që janë me leje  qëndrimi dhe që lejohen të hyjnë sërish në Greqi, kanë refuzuar të kthehen pas.

Grupi i qytetarëve që presin në tokën neutrale rritet orë pas ore,ndërsa autoritetet e kufirit janë të vendosur për të lejuar vetëm ata me autorizim të posaçëm për tu kthyer në atdhe.

Tv Klan