“Mua më duken si 6 vjet”

Jemi në atmosferë feste dhe për dashurinë më shumë se kurrë, flitet ditën e sotme. Programi “Rudina” në TV klan solli për këtë Shën Valentin historinë e veçantë të çiftit, Kristo dhe Ellambi Liçaj.

Ata kanë 60 vite të martuar dhe dashurinë vazhdojnë ta ruajnë njësoj si ditën e parë. Janë njohur me mblesëri dhe më pas historia e tyre e dashurisë vazhdoi me letra dashurie që dërgoheshin nga Kina në Shqipëri, por jo vetëm.

Kristo dhe Ellambi Liçaj janë përkatësisht 83 dhe 77 vjeç. Ata u njohën në 1960-n dhe u martuan po atë vit. Kristo punonte si marins dhe shpesh detyrat e largonin nga familja e tij. Edhe koha kur u njoh me bashkëshorten e tij e gjeti në krye të detyrës. Kristo tregon se Ellambi i pëlqeu që në takimin e parë dhe bukuria e saj e tërhoqi së tepërmi.

Kristo Liçaj: Pritëm 20 minuta dhe vjen vajza. Nuk ishim parë, e shikoj për herë të parë, më pëlqeu. Kishte disa veçori, kisha marrë dhe ato që i takonin, unazën. E pashë për mrekulli dhe thashë me veten time: Këmbët i paska si shishe birre. Më pëlqeu, vajzë me taban.

Në 1960, Kristo dhe Ellambi u martuan, por u detyruan nga rrethanat të qëndronin larg njëri-tjetrit. Gjatë asaj kohe, kur Kristo ishte në shërbim si marins, ata i shkruanin njëri-tjetrit letra që vazhdojnë t’i ruajnë edhe sot.

Në 1977, Kristo u detyrua të ikte sërish me shërbim në Kinë dhe filloi t’i dërgonte bashkëshortes së tij letra të tjera. Sot ata janë prindër të 6 vajzave dhe kanë 11 nipër e mbesa dhe gjithashtu 2 stërnipër. Pas 60 vitesh martesë çifti rrëfen edhe sekretin që i mbanë bashkë.

Kristo Liçaj:  Të dua, shpesh i them, por shumë më shpesh. Shiko, le ta dëgjojnë dhe njerëzit aty. Për mua jo 60 vjet, t’i heqim zeron mua më duket si 6 vjet./tvklan.al