Programi  “Historia ime”, në Tv Klan solli ditën e sotme historinë e 61 vjeçarit, Xhelo Kumbria. Ai tregoi se në vitin 2014, iu gjet një armë pa leje dhe në bazë të ligjit u dënua me 1 vit burg.

Gjatë periudhës që ishte në burgun e Rrogozhinës, atij i dërgonin të ardhura familjarët. Pasi përfundoi dënimin, i kishin mbetur pa konsumuar edhe 545 mijë lekë të vjetra.

Ato të ardhura nuk arrit dot që t’i merrte kur doli nga burgu, por i premtuan që do ia kthenin. Pavarësisht se kanë kaluar 6 vite, Kumbria tregon se edhe sot nuk ka mundur t’i marrë dot ato lekë.

Mirela Milori: Çfarë ndodhi që ju patët një problem me ligjin dhe vuajtët dënimin në burg?

Xhelo Kumbria: Në vitin 2014, m’u gjet një armë pa leje dhe në bazë të rregullave dënohesh. U dënova një vit burg. Më dërguan në Rrogozhinë, gjatë kësaj kohe vinin familjarët, vinin vajzat, motrat, vëllezërit dhe më dërgonin të ardhura. Kush sillte, 50 mijë lekë, kush 100, kush 10 sipas mundësive. Mbasi mbarova burgun, nuk i konsumova të gjitha ato para.

Mirela Milori: Ato para të duheshin për në burg?

Xhelo Kumbria: I dërgonin ata për merak, se aty kishte ushqime faktikisht, po merrja ndonjë frut, pije, jo ndonjë diçka. Edhe nuk i konsumova të gjitha, ngeli një shumë.

Mirela Milori: Sa lekë kishe mënjanë kur dole nga burgu?

Xhelo Kumbria: 545 mijë lekë!

Mirela Milori: Të vjetra?

Xhelo Kumbria: Po të vjetra! I kërkova faktikisht. Siç u lirova se mbusha dënimin, kur dola te porta më thanë firmos një dokument. Ke ndonjë vërejtje për punonjësit? I thashë unë nuk kam vërejtje, se nuk i bëj unë vërejtjet, por unë dua paratë. Po ne s’kemi punë më thanë. Po kush e ka punën? Unë e mbarova punën time, tani punën këtu e keni ju, nuk e kam unë. Jo s’ka para- më thanë. I thashë po nuk e firmos dokumentin, se unë këtë kërkesë kam, nuk kam çfarë bëj kërkesë tjetër, kjo më duhet. Nuk ka para tha, është vjedhur arka. Mua s’më intereson se çfarë është vjedhur. Si përfundim njoftuan ata të financës, erdhën ata më dhanë këtë dokumentin dhe më thanë do t’i sjellim në shtëpi. Po sot e 6 vjet, unë s’i kam marrë dot.

Mirela Milori: Gjatë këtyre 6 viteve keni shkuar dhe e keni kërkuar të drejtën tuaj?

Xhelo Kumbria:  Po! Vajta tek institucioni tek burgu dhe më thanë që janë dokumentat në gjykatë.

Mirela Milori: Përveç institucionit të burgut vajtët në vend tjetër, në gjykatë ndoshta?

Xhelo Kumbria: Mora nnë avokat një herë, e mori si çështje. Por si duket pyeti dhe më tha mua janë dokumentat në gjykatë dhe nuk mund ta shqyrtoj dot, nuk e çaj dot këtë punë. Edhe e la pastaj./tvklan.al