Arbër Çekaj, pronari i kompanisë “Arbi Garden” është arrestuar këtë të premte në Gjermani. Çekaj dyshohet si personi i cili qëndron pas ngarkesës prej 613 kilogramëve kokainë të sekuestruar në Durrës në Shkurt të këtij viti.

Çekaj mësohet se u arrestua falë bashkëpunimit mes policisë gjermane dhe asaj shqiptare, në një provincë pranë Dusseldorf-it.

“Në kuader të bashkëpunimit me agjencitë e huaja ligjzbatuese dhe konkretisht atë gjermane është bërë e mundur lokalizimi dhe arrestimi i Arbër Çekajt. Ai është pronari i firmës Arbi Garden, ku u sekuestruan 613 kg kokainë në kuadër të operacionit “Last Snow”. U shkëmbye informacion në kohë rekord midis Policisë së Shtetit dhe agjencive të tjera, si dhe me Prokurorinë e Krimeve të Rënda”,

sqaron Policia e Shtetit në një njoftim për mediat

Gjykata e Krimeve të Rënda kishte caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Arbër Çekajn, pasi në kontenierin me banane që kompania e tij kishte porositur në Kolumbi, u gjetën 613 kilogramë kokainë.

38-vjeçari ishte shpallur zyrtarisht në kërkim ndërkombëtar. Për Prokurorinë e Krimeve të Rënda, Çekaj dyshohet se është pjesë e një grupi kriminal që merrej me trafikun e kokainës nga Amerika Latine drejt Europës. Sasia rekord e drogës u sekuestrua në magazinën e Arbër Çekajt në Maminas, më 28 Shkurt gjatë kohës që filloi shkarkimi.

Operacioni në bashkëpunim me policinë gjermane u paralajmërua më herët nga Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, i cili nga Lezha tha se pasditen e kësaj të premteje priten dy operacione të suksesshme të policisë në bashkëpunim me autoritetet Gjermane dhe Spanjolle.

/tvklan.al