Policia e Shtetit po përdor dronet për të identifikuar qytetarët që shkelin urdhrin e ndalimit të qarkullimit jashtë fashave të lejuara të orarit.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë gjobitur 629 këmbësorë të cilët nuk kanë kanë pasur asnjë arsye të caktuar për të dalë nga shtëpia apo emergjencë. Ata janë gjobitur me 100 mijë Lekë të vjetra.

Ndërsa 130 shoferëve u është hequr patenta dhe ju është bllokuar mjeti.

Në Tiranë është arrestuar në flagrancë shtetasi F. M., banues në Tiranë dhe është proceduar penalisht shtetasi U. A., pasi nuk i janë bindur urdhrave të punonjësve të policisë për të ndaluar.

Në Elbasan është arrestuar në flagrancë shtetasi E. P., banues në Përrenjas, pasi është konstatuar duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur në masën 1.18 mg/l dhe në kundërshtim me aktin normativ.

Në Fier është arrestuar në flagrancë shtetasi B. B., banues në Fier, pasi është konstatuar duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 1.02 mg/l dhe nuk i ka ndaluar pikës së kontrollit.

Në Durrës është arrestuar në flagrancë shtetasi M. R., banues në Krujë, pasi u konstatua duke drejtuar mjetin pa leje drejtimi dhe në kundërshtim me aktin normativ.

Gjithashtu, janë ndëshkuar me gjobë 200 mijë Lekë të vjetra dhe bllokim mjeti për 3 muaj, 5 qytetarë të cilët nuk kanë zbatuar urdhrin për kufizimin e lëvizjeve në parqe dhe zona të gjelbra të hapura, në zonat urbane apo mjedise të tjera publike të hapura.

Në të gjithë vendin janë konstatuar 7 lokale të hapura dhe ndaj administratorëve është vendosur gjobë. /tvklan.al