“Dëgjova hallën kur tha ‘oj nuse më fike vëllain”

Emisioni “Historia ime” në Tv Klan solli sot historinë e një 64-vjeçari, i cili prej vitesh kërkon nënën e tij biologjike. Syrja Basha kur ishte 7 vjeç mëson nga shoku i klasës se nuk ishte fëmija biologjik i prindërve me të cilët jetonte.

Ai më vonë mëson se ata nuk mund të bëheshin prindër dhe prandaj kishin vendosur që të adoptonin një fëmijë.

Një nga bijat e lagjes që punonte në maternitet në Durrës iu premton që do ju sjellë një fëmijë dhe ashtu ndodh. Ky fëmijë ishte Syrjai. 

Kur u rrit dhe kuptoi të vërtetën, askush nuk pranonte t’i jepte informacion, edhe prindërit vetëm heshtnin.

Mirela Milori: Ku jeton?

Syrja Basha: Në Shën Vlash të Durrësit.

Mirela Milori: Ke familjen tënde?

Syrja Basha: Jam plot, kam gruan, kam dhe 4 vajza, kam 3 nipa dhe 2 mbesa. Jam shumë i kënaqur.

Mirela Milori: Cilët janë prindërit e tu?

Syrja Basha: I biri i Haxhi dhe Nadire Bashës. Ata rrinë 17 vjet pa fëmijë sepse nuk iu dha Zoti. Aty afër kam patur një hallën time, të martuar. Halla i thotë: Oj nuse më fike vëllain, se nuk linde fëmijë. Në debat bashkë me dajat e mi, e marrin mamin e vizitojnë dhe del me probleme babi dhe jo mami.

Mirela Milori: Që nuk shtoheshin me fëmijë?

Syrja Basha: Po! Ata tani po debatonin kush të jepte fëmijë, nga fisi i babës, apo nga fisi i mamit. Në debat e sipër, po vinte nga rruga një bijë e lagjes, që ishte bashkëmoshatare me babain tim, e quajtur Hatije, e martuar në Durrës. Ajo kishte punuar sanitare në maternitetin e Durrësit. I dëgjon duke debatuar dhe ju thotë: Çfarë keni? Për Haxhiun u thotë mos u shqetësoni, se ishin bashkëmoshatarë. Thotë do ju sjell unë fëmijë, dhe më solli mua.

Mirela Milori: Të sollën në familje që është familja jote aktualisht?

Syrja Basha: Po! 7 vjeç hyra në shkollë, ditën e parë të shkollës bën apelin mësuesja dhe thotë Syrja Basha? Këtu! Ja pret njëri: I kopili!

Mirela Milori: Thotë dikush nga klasa?

Syrja Basha: Po fëmijë. Domethënë fshati e dinte dhe unë se dija për këtë punë. Filloj qaj, mërzitem. Kthehem në shtëpi i mërzitur dhe i them mamit kështu më thanë. Më thotë të kanë thënë kot, por faktikisht dhe ajo u prek. /tvklan.al