Ulet numri i pacientëve që trajtohen në spital

E premtja shënoi një tjetër ditë me shifra të ulëta të pandemisë në vendin tonë. Nga 2728 testime të kryera kanë rezultuar pozitivë vetëm 67 qytetarë. Numrin më të madh të këtyre rasteve të reja e mban Tirana e ndjekur nga Korça, Shkodra, Devolli e Pogradeci.

Në 24 orët e fundit janë shënuar vetëm 2 viktima. Ata janë nga Tirana të moshave 52 dhe 78 vjeç. Shkon kështu në 2408 numri total i jetëve të humbura nga koronavirusi në vendin tonë që nga nisja e pandemisë.

Një numër më i ulët i pacientëve se një ditë më parë paraqitet edhe në spitalet e vendit. Aty po trajtohen 104 pacientë, 11 në terapi intensive, nga të cilët 4 pacientë janë të intubuar.

Ministria e Shëndetësisë raportoi se në 24 orët e fundit janë shëruar 891 qytetarë, duke e çuar numrin e tyre në mbi 115 mijë që nga fillimi i epidemisë.

Që prej nisjes së pandemisë në Shqipëri janë infektuar mbi 131 mijë persona ndërsa gati 14 mijë janë ende aktivë. Edhe pse shifrat kanë ardhur në rënie autoritetet theksojnë se nuk duhen neglizhuar masat si mbajtja e maskës apo distancimi social.

Tv Klan