Në programin “Historia ime”, në Tv Klan në një lidhje në Skype ishte 68-vjeçari Kastriot Agalliu. Ai u infektua nga virusi dhe ka qëndruar në spital rreth 21 ditë.

Agalliu shprehet se në fillim u tremb, por u stresua edhe më shumë pasi mësoi se dhe nëna e tij ishte infektuar nga virusi dhe ishte shtruar në të njëjtin spital ku ishte edhe ai.

Sot nënë e bir janë shumë mirë dhe arritën ta mposhtnin sëmundjen.

Mirela Milori: Si kaluan javët në spital?

Kastriot Agalliu: Për mua ishte një tmerr, u tremba shumë në fakt, troç muhabeti, nuk filja fare gjumë, s’më zinte gjumë, më hipi një stres i madh. Madje kur më ka ardhur nëna pas 8 ditësh, atëherë u stresova më shumë, se e kisha nënën lart mbi kokë, as e takoja dhe as flisja dot.

Mirela Milori: Ti ishe në spital, kur u kuptua që ishte e infektuar edhe nëna me COVID?

Kastriot Agalliu: Nëna ime nuk lajmëroi njeri.

Mirela Milori: Por nga e kuptuan?

Kastriot Agalliu: Doktoresha e lagjes sonë, ngaqë isha unë i sëmurë, e kishin marrë nënën time dhe e kishin çuar në spital. Unë u habita, mbas 9 ditësh.

Mirela Milori: Çfarë simptomash kishte nëna që e çuan në spital?

Kastriot Agalliu: Nëna s’kishte gjë, kështu më tha mua ajo.

Mirela Milori: Pse e çuan në spital?

Kastriot Agalliu: Ngaqë u nisën nga mua.

Mirela Milori: I bënë testin ngaqë ishte me ju dhe ajo doli e prekur nga virusi?

Kastriot Agalliu: Unë nuk di gjë çfarë i kanë bërë, se unë kam qenë në spital, vetëm kur mora vesh që ka ardhur në spital, ma thanë në telefon.

Mirela Milori: Në momentin kur ti ke qenë i shtruar ka qenë dhe nëna jote e shtruar apo jo?

Kastriot Agalliu: Ajo erdhi mbas 9 ditësh, pasi isha unë atje.

Mirela Milori: Si e kujton atë periudhën e spitalit?

Kastriot Agalliu: Atje as hasmin mos e shikosh, por në sajë të doktorëve dhe infermierëve atje, shumë puntorë të mëdhenj, na rrinin në kokë, madje dhe na kanë ushqyer./tvklan.al