69 nxënës pa marrë ende bursë, drejtoresha: Nuk ka pasur ankesa

69 nxënës pa marrë ende bursë, drejtoresha: Nuk ka pasur ankesa

21:32 12/12/2018

Ramadan Kasa tregon në “Stop” se e regjistroi djalin në shkollën profesionale “Gjergj Canco”, që të merrte një zanat. Djali, Shkëlqim Kasa me banim në Prezë thotë se aplikoi për bursë dhe e fitoi, por nuk e merr prej një viti. Dhe ky problem nuk është vetëm i Shkëlqimit, por i 69 nxënësve të kësaj shkolle. Ymer Kodra, drejtor i ZA Vorë thotë se Këshilli Bashkiak e trajton Shkëlqimin me bursë dhe paratë duhet t’ia japë shkolla, ndërsa sekretarja e kësaj shkolle shprehet se lista i është nisur Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, por nuk ka ardhur ende një përgjigje.

“Quhem Ramadan Kasa. E kam regjistruar djalin në shkollë profesionale që të marrë të paktën një zanat. Kam takuar nëndrejtorin dhe më ka thënë përfundimisht, deri më datë 15 Shtator do të përfundojë gjithçka, do të likuidohen të gjithë nxënësit”,

tregon babai i Shkëlqimit, Ramadan Kasa.

Por Shtatori iku dhe problemi nuk u zgjidh.

“Kam marrë informacion edhe në Bashkinë e Vorës, tek Zyra e Arsimit dhe më kanë thënë që këtë vit ia kanë lënë në kompetencë Bashkisë së Tiranës. Zyra e Arsimit të Vorës i ka nisur të gjitha listat dhe ato ekzistojnë në Zyrën e Financës. Duke llogaritur të ardhurat e mia dhe ato 25 mijë lekë të reja në muaj nuk e çoj dot në shkollë dhe iu drejtova emisionit Stop”,

tregon më tej babai i Shkëlqimit

.

Vetë ky i fundit kërkon të marrë paratë që i takojnë:

“Kërkoj të drejtën time, shpresoj që t’i marr”,

shprehet i riu

.

Bursat që nuk kanë ardhur ende, nuk janë vetëm problem për Shkëlqimin, por edhe i nxënësve të tjerë të kësaj shkolle. Për “Stop”, këta nxënës tregojnë se në shkollë kanë ardhur me paratë e tyre:

“S’kemi çfarë bëjmë”,

thonë ata.

Gazetarja e “Stop” iu drejtua Bashkisë së Vorës, për të parë nëse e gjithë procedura ka shkuar në rregull.

“Kemi marrë vendimin e Këshillit, ku e kemi trajtuar dhe këtë nxënës me bursë dhe ia kemi nisur shkresën përkatëse shkollës, sipas të gjitha procedurave. Dhe lekët më pas do të merreshin tek shkolla”,

thotë Drejtori i Zyrës Arsimore Vorë, Ymer Kodra.

Gazetarja e “Stop” shkoi në shkollën profesionale “Gjergj Canco”. Sekretarja e kësaj shkolle tha se lista me 69 nxënës i është nisur Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave që në mes të Shtatorit, por nuk ka ardhur ende një përgjigje.

Ndërsa Drejtoresha e kësaj shkolle, Hajdie Bejtja u shpreh se nuk është interesuar për vonesën e bursave, sepse nuk ka pasur ankesë nga asnjë prind.

Gazetarja-E kuptoj, për ju si shkollë, si drejtuese shkolle, nuk keni bërë një përpjekje pse janë vonuar kaq shumë këto bursat? 2017-2018 nuk kanë marrë bursat.

Drejtoresha Hajdie Bejtja-Nuk ka pasur ankesa nga asnjë prind!

Gazetarja-Nuk ka rëndësi zonjë, kemi një rast konkret. Në përgjithësi janë vonuar bursat, por kjo është problem, edhe mos ketë ankesë.

Drejtoresha Hajdie Bejtja-Unë nuk kam ankesë!

“Unë nuk di të të them pse i kanë marrë, apo nuk i kanë marrë bursat. Megjithatë duke marrë dhe denoncimin që ka bërë qytetari, ne do ta shqyrtojmë rastin”, tha në fund Drejtoresha Bejtja.

/tvklan.al

LAJMET
Të ngjashme
KPT
KPT
UKT