Prania e virusit thuajse në të gjithë Shqipërinë

Shkon në 63 numri i personave që kanë humbur jetën nga koronavirusi në vendin tonë. E marta regjistron numrin më të lartë të viktimave. 4 persona kanë ndërruar jetë, mes të cilëve edhe mjeku hematolog Arjan Pushi, i cili ndryshe nga 3 pacientët e tjerë nuk vuante nga asnjë sëmundje shoqëruese.

“Një 44-vjeçare nga Durrësi, një pacient 71-vjeçar nga Tirana dhe një pacient 85-vjeçar gjithashtu nga Tirana. Të 3 pacientët kishin disa sëmundje bashkëshoqëruese dhe nuk kanë mundur dot të mbijetojnë për shkak të rëndimit të gjendjes shëndetësore, pavarësisht trajtimit intensiv nga stafi mjekësor”.

69 persona janë infektuar me Covid-19 në 24 orët e fundit.

“23 raste në Tiranë, nga 10 raste Durrës, Krujë, 6 në Vlorë, 5 në Mat, nga 4 raste në Kurbin, Kamëz, nga 2 raste në Shkodër, Fier, Kavajë, 1 në Lushnje”.

Një pjesë e rasteve të reja kanë patur nevojë për shtrim në spital dhe kujdes të veçantë mjekësor.

“Vijon të ketë shtrime në spitalin infektiv, ku aktualisht po trajtohen 79 pacientë, 7 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 3 janë të intubuar”.

Që prej fillimit të epidemisë në vendin tonë janë infektuar 2535 persona, prej të cilëve 1014 janë ende aktivë me Covid-19, dhe potencial për të infektuar të tjerët. Epidemiologët kërkojnë mbajtjen e maskës, respektimin e distancës dhe higjienën, si mënyra e vetme për të mos u infektuar nga Covid-19.

Tv Klan