694 raste të reja dhe 6 humbje jete në 24 orë

Shqipëria vijon të shënojë rekorde, sa i përket rasteve të reja me koronavirus. Në 24 orët e fundit 694 persona janë infektuar me Covid, nga 2560 testime.

Tirana mbetet vatra kryesore e infektimeve të reja, me 334 raste brenda ditës, ndërsa më pas vjen Berati e Fieri.

Ndërkohë në 3 spitalet Covid, kanë humbur jetën 6 pacientë. Mes tyre është edhe mjeku Ilirjan Draçi. Viktima më e re është një 28-vjeçare e cila ishte shtatzënë. Pacientët e tjerë që nuk e kanë përballuar dot betejen me virusin janë 3 të moshuar nga Tirana dhe 1 nga Elbasani. Ka shkuar në 637 numri i viktimave nga koronavirusi.

Vijon të rritet edhe numri i të shtruarve në spital. Aktualisht në spitalet COVID po marrin shërbim 412 pacientë, ku 13 janë në terapi intensive dhe 3 të intubuar.

Lajmi i mirë është se 351 qytetarë janë shëruar nga koronavirusi. Në vendin tonë aktualisht janë 14.685 persona të infektuar me Covid, ku sërish Tirana ka gjysmën e rasteve aktive. Edhe Durrësi e Fieri kanë më shumë se 1 mijë raste aktive. Numri total i të infektuarve me Covid-19 në vendin tonë, që prej fillimit të pandemisë, ka shkuar 29.126.

Tv Klan