Vaksinimi i popullsisë ndaj Covid-19 vijon me kalendar të kombinuar për personat mbi 60 vjeç dhe punonjës të shërbimeve kritike. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 665 mijë  vaksinime ndaj Covid-19.

Prej tyre, 213.418 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës antiCovid duke krijuar imunizim të plotë. Pra deri më tani në vendin tonë janë imunizuar ndaj Covid-19 rreth 7.5% e popullsisë.

Në vendin tonë kanë ardhur në total 760,100 vaksina antiCovid. 500 mijë prej tyre janë vaksina kineze Sinovac, ndërsa pjesa tjetër janë AstraZeneca, Pfizer dhe Sputnik V.

Sipas autoriteteve shëndetësore çdo javë në vend vijnë vaksina antiCovid, në bazë të kontratës që qeveria ka me kompaninë Pfizer por edhe në bazë të kontratës me Bashkimin Evropian.

Nëpërmjet një postimi në facebook, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka shprehur mirënjohje për punën e palodhur çdo ditë të vaksinatoreve në çdo cep të vendit, që sipas saj po çojnë përpara një proces vaksinimi shembullor, për mbrojtjen e jetës e shëndetit të qytetarëve.

Pjesë e procesit të vaksinimit veç bluzave të bardha janë përfshirë edhe disa kategori që janë më të rrezikura, si arsimtarët, pedagogët, forcat e policisë, punonjësit e medias.

Ndërkohë që kategoritë e fundit që kanë nisur të marrin dozën e parë të vaksinës antiCovid janë punonjësit e sektorit të turizmit, fasoneritë dhe pritet që të nis dhe sektori i transportit publik.

Klan News