Kryesia e Bashës i heq vulën Gazment Bardhit

7 deputetë demokratë dhe 276 anëtarë të Këshillit Kombëtar i kërkojnë Sekretarit të Përgjithshëm Gazment Bardhi të frenojë përçarjen e kësaj force politike, duke mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të njëanshme për kryetarin e ri në 29 Korrik. Ata thonë se një pjesë e tyre janë përjashtuar nga mbështetësit e Bashës pa vendim nga mbledhja e fundit e Këshillit kombëtar.

“276 anëtarë të këshillit kombëtar nga 453 në detyrë ishin përjashtuar pa vendim. Ishin njohur, por nuk kishin marrë pjesë, ishin në mbledhje, por nuk ishin dakord me vendime pa kuorum. Vendimet e njëanshme nuk e ndihmojnë PD dhe kërkojnë që Sekretari i Përgjithshëm të ushtrojë detyrën”, tha deputeti Bledion Nallbati.

“Më 29 askush nga ne nuk besojnë se do të ketë një proces real. Duhet që të marrë fund koha vetë numëro dhe vetë fito”, tha Lefter Gështenja.

I kontaktuar nga televizioni Klan, Gazment Bardhi konfirmoi se pritet të mbledhë brenda këtyre ditëve Këshillin Kombëtar, ndonëse më herët në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm ai ka deklaruar se nuk do të lejojë asnjë proces farsë për kreun e ri të PD-së.

Por menjëherë pas kësaj deklarate të Bardhit, shumica e mbështetësve të Lulzim Bashës në Kryesi publikoi një vendim që mban datën 18 Korrik dhe sipas të cilit, vulën që mbante Sekretari i Përgjithshëm ia kalon Sekretarit për Çështjet Ligjore, Indrit Sefa. Bëhet fjalë për një dokument ku ka anëtarë që kanë firmosur edhe 2 herë, siç është rasti i Oriola Pampurit.

Ndërkohë që në një deklaratë për mediat Sefa, në emër të PD-së zyrtare e cilësoi antistatutore kërkesën e 7 deputetëve dhe 276 anëtarëve të Këshillit Kombëtar.

Indrit Sefa – Sekretar për Çështjet Ligjore: Sekretari i Përgjithshëm ka kompetenca vetëm për organzimin e brendshëm të Partisë e në asnjë rast për përfaqësimin e saj në raport me të tretët. Sekretari i Përgjithshëm nuk ka të drejtë të thërrasë mbledhjen e Këshillit Kombëtar. Këtë të drejtë e ka vetëm Kryesia dhe Kryetari.

Në kundërpërgjigje, Bardhi e cilësoi vendimin e Kryesisë, si akt nën efektin e dëshpërimit.

Tv Klan