Komisioni i Venecias ka vërejtur 7 mangësi në opinionin paraprak të mbërritur në Kuvend lidhur me propozimin e opozitës për vetingun në politikë.

Në draftin prej 20 faqesh, të siguruar nga Televizioni Klan, theksi vihet te paqartësia se si do të mund të kryhet ky proces.

1- Duhet të ketë një detajim të qartë të subjekteve që do t’i nënshtrohen vettingut në politikë, duke qenë se koncepti “institucione të krijuara me ligj”, është i paqartë. 2- Ka paqartësi se çfarë do të konsiderohet “kontakt me krimin e organizuar” që sjell humbjen e mandatit apo kufizimin e të drejtës për të votuar.

3– Duhet të përcaktohet qartë se kush do të konsiderohet si “person i përfshirë në krimin e organizuar”, duke qenë se Kodi Penal shqiptar, nuk jep një përkufizim lidhur me këtë. 4- Kontaktet me personat e përfshirë në krimin e organizuar janë të llojeve të ndryshme dhe jo gjithmonë janë të paligjshme.

5- Duhet të qartësohen rastet se kur aplikohet përmbysja e barrës së provës, si do të aplikohet ajo dhe si personi duhet të provojë që s’ka kontakte me krimin e organizuar. 6- Duhet të përcaktohet qartë periudha kohore që do t’i nënshtrohet procesit të verifikimit, duke zgjedhur një kohëzgjatje të arsyeshme për shtrirjen e kësaj periudhe verifikimi. 7- Mungon mekanizimi i zbatimit (organi), që do ishte një garanci kushtetuese për të siguruar pavarësinë dhe paanshmërinë gjatë procesit të vettingut të politikanëve.

Për këtë arsye Komisioni i Venecias pa vënë në pikëpyetje qëllimin legjitim të pastrimit të klasës politike shqiptare, dhe duke theksuar se është e nevojshme që të mbahet parasysh edhe nevoja për mjete të tjera legjislative, ka vërejtur se amendamentet kushtetuese nuk vijnë në kushtet e një vakuumi ligjor. Kjo për faktin se Shqipëria ka ndërmarrë më parë Reformën e Dekriminalizimit dhe Refomën në Drejtësi.

“Duke marrë parasysh dispozitat ekzistuese të neneve 6/1, 45 (3) dhe 179 / atë Kushtetutës së Shqipërisë dhe të legjislacionit përkatës zbatues (në veçanti ligjit për Dekriminalizimin), si dhe mekanizmat e tjerë demokratikë në dispozicion, ligjet e shtuara, vlera e amendamenteve të propozuara kushtetuese mund të vihet në pikëpyetje”.

Komisioni nuk ka dhënë përgjigje të prerë dhe thotë se nuk mund të përcaktojë nëse është i nevojshëm drafti i opozitës. Gjithsesi, thuhet në opinionin e tij, është Kuvendi ai që duhet të vendosë.

“Në mungesë edhe të ligjit zbatues, është e vështirë për komisionin për të përcaktuar nëse amendamenti kushtetuese është apo jo i nevojshëm dhe një vlerë e shtuar aktualisht në Shqipëri. Për këtë thekson Komisioni, duhet të vendosë Kuvendi, në një proces dialogu konstruktiv midis palëve politike”.

Gjithsesi Komisioni i Venecias ka vërejtur se në opinionin paraprak se në Shqipëri vijon të jetë shqetesuese çështja e kontakteve të politikanëve me elementë kriminalë.

“Nga takimet (shkëmbimet e mendimeve) e ndryshme që patën Raportuesit gjatë vizitës në Shqipëri, duket qartë se ekziston vërtet një problem i kontakteve të papërshtatshme midis politikanëve dhe elemente kriminale”.

Opinioni paraprak i mbërritur në Tiranë pritet të votohet në mbledhjen e 14-15 Dhjetorit nga Komisioni i Venecias.

Tv Klan