Kryebashkiaku: Vit rekord për hapjen e shkollave të reja

Në ditën e mësuesve, kryebashkiaku Erion veliaj tha se ky vit përveç sfidave do të mbahet mend për rekordin e shkollave të reja të hapura në Tiranë.

“Më vjen mirë që dëgjova nga ju, që shumica e shkollave ku keni dhënë mësim, qoftë “Liceu””, qoftë “Dhora Leka”, qoftë “Konferenca e Pezës”, qoftë shkolla e fëmijëve me nevoja speciale “Luigj Gurakuqi”, janë të gjitha shkolla të transformuara. Mezi pres 40 shkollat e reja që hapen. Një pjesë e bën Bashkia në 17 shkolla, një paketë e shkollave të reja komunitare, ndërkohë 23 të tjera i kemi në bashkëpunim me qeverinë vetëm prej mundësisë që na dha rindërtimi pas tërmetit”.

Me rastin e 7 marsit, ditës së mësuesit, kryebahskiaku Veliaj priti 10 mësues nga shkolla të ndryshme të Tiranës, të cilët i falënderoi dhe u shprehu mirënjohjen për punën, sakrificën në këtë vit të pazakontë plot sfida dhe vështirësi.

“Është një kohë e vështirë, kur secili prind, përveç merakut për tërmetin dhe pandeminë, kishte edhe merakun e një viti arsimor që edhe mund të ishte humbur. Fakti që kjo nuk ndodhi, por u vazhdua me këtë përkushtim, më bën t’ju jem shumë mirënjohës edhe t’ju falënderoj me gjithë zemër për një përkushtim të jashtëzakonshëm”.

Veliaj kërkoi nga mësuesit që ishin në prag të daljes në pension që të vijon të jepnin kontributin e tyre edhe më pas në projekte të ndryshme  të  Bashkisë Tiranë . Në shenja mirënjohje Kryebashkiaku shpërndan certifikata për 10 mësues në pension.

Tv Klan