Kur kanë ngelur edhe pak ditë nga zgjedhjet e 30 Qershorit, policia është njohur me planin e masave për mbarëvajtjen e procesit.

Mbrëmjen e 29 Qershorit, punonjësit e policisë do të marrin në ruajtje materialet dhe objektet zgjedhore në të gjithë Shqipërinë. Në këto godina është parashikuar që në ambientet e jashtme të qëndrojnë dy punonjës policie që do kujdesen për ruajtjen e materialeve zgjedhore. Mësohet se një numër i lartë i efektivëve nga kryeqyteti si dhe punonjës të policisë kufitare dhe migracionit, por edhe ata policisë rrugore, do të ngarkohen me detyra në rrethe për shkak të mungesave të burimeve njerëzore në këto zona.

Referuar burimeve nga Policia e Shtetit, në qendrat e votimeve ku mund të ketë tentativa për të bllokuar procesin do të angazhohen grupe efektivësh, përfshirë dhe ato të Ndërhyrjes së Shpejtë që do të qëndrojnë në gadishmëri. Më shumë se 7 mijë efektivë policie do të angazhohen për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, shumica prej të cilëve janë trajnuar edhe nga ekspertë të OSBE-së.

Krahas kësaj, policia do të angazhojë një numër të efektivëve në ruajtjen e institucioneve të rëndësisë së veçantë, të cilat pritet të sigurohen me forcat komando, ndërsa garda do të angazohet për ruajtjen dhe lëvizjen e personaliteteve në ditën e zgjedhjeve.

Tv Klan