7 muaj burg në shtëpi prej gabimit të Interpolit shqiptar



7 muaj burg në shtëpi prej gabimit të Interpolit shqiptar

21:25 13/10/2020

Në Prill të këtij viti, emisioni “Stop” transmetoi shqetësimin e Hajdin Sadiku, 42 vjeç, me 3 fëmijë nga Kosova e banim në Angli. Ai ishte ngatërruar me një person nga Shkodra, Bib Nikja dhe ky i fundit, akuzohej për një vrasje në vitin 2001 në Shqipëri.

Familja Sadiku u shokua, kur policia angleze e arrestoi në mes të natës si kriminel për llogari të Interpolit Shqiptar.

“I jam drejtuar emisioni “Stop”, me informatat që kemi deri tani, vëllai është parë duke folur në telefon në një rrugë në qytetin ku jeton dhe e ka fotografuar. Sipas fotografisë, kjo foto është bërë nga djali i të vdekurit dhe dy dëshmitarë të tjerë e kanë identifikuar vëllain se ky është personi Bib Zef Nikja nga Shkodra”, shprehej vëllai i Hajdinit për “Stop”.

“Stop” mësoi, se identitetet e dy personave nuk kishin lidhje me njëri-tjetrin. Sipas kartelës Bib Nikja është i datëlindjes 15 Janar 1982 me shtetësi shqiptare me vendlindje në Karmë-Shkodër. Ai figuron të jetë shpallur në kërkim ndërkombëtar që prej 25 Shkurtit 2001 me informacione që është arratisur në Angli.

Datat e lindjes dhe gjeneralitetet nuk përputheshin dhe Interpoli duket se u bazua vetëm në një fotografi të Hajdinit. Hajdini u tregua i gatshëm të bënte analizën e ADN-së dhe të provonte, se kishte qenë asnjëherë në Shqipëri.

Nga ana tjetër Drejtori i Interpol Shqipëria, nuk dha argumente për këtë gabim, por këshilloi, që Hajdini të merrte avokat e të bënte analizën e ADN-së, për ta paraqitur në gjyq në Angli.

Gazetari: Ka të bëjë me një person, i cili jeton në Angli, është nga Kosova. I kam gjithë të dhënat këtu.

Drejtori, Interpol Tirana: Po!

Gazetari: Ky akuzohet për një vrasje, që është bërë në 2001-shin në Shkodër.

Drejtori, Interpol Tirana: E di!

Gazetari: Ajo… edhe thotë nuk jam unë..

Drejtori, Interpol Tirana: Si mendon, se mund t’i çojmë letrat kot ne, përshembull?

Gazetari: Kot me çfarë kemi verifikuar. Ne pamë të gjithë këto të gjëndjes civile, pamë dhe të gjitha…

Drejtori, Interpol Tirana: Ëhë…

Gazetari: Nuk është ai. Ai është i gatshëm të bëjë dhe ADN-në. E kupton? Po i sigurtë, që është ai? Po them kot të flasim kështu.

Drejtori, Interpol Tirana: Mbi bazë materialesh. Asnjë gjë nuk shkooo, sepse shkoj unë në burg nëqoftëse nuk shkon…

Gazetari: E kuptoj!

Drejtori, Interpol Tirana: Ekstradimi,  ose për personat në kërkim, janë shumë specifike. Gjërat mund të duken kështu…

Gazetari: E kuptoj ,e kuptoj!

Drejtori, Interpol Tirana: Sikur neee…,duket sikur ne shkojmë kështu, sikur merre, bjere, sille.

Gazetari: E kuptoj, e kuptoj! Mua, e di çfarë më intrigoi më shumë, se po flasim kështu? Më intrigoi më shumë ato siguracionet, që i kishte pasur nga 99-ta deri në 2001-shin,  që kishte ndodh vrasja në  Shkodër, ai figuronte në Angli.

Drejtori, Interpol Tirana: Janë disa prova të tjera, që, që….

Gazetari: Që e lidhin këtë? Ndoshta s’është ai dhe po i bien në qafë kot, ëë…?

Drejtori, Interpol Tirana: Ndoshta, po ne mbi bazë të materialeve, ee…

Sot pas disa muajsh, Hajdini ka dalë i pafajshëm. Kjo, pasi prokuroria britanike hetoi mbi çështjen, për shkak, se u përball me dy versione  atë të Interpolit dhe me provat e Hajdin Sadikut, i cili vërtetonte, se ishte nga Kosova dhe jo nga Shqipëria.

“Para ca muajsh kisha denoncuar një rast tek redaksia juaj, për një ngjarje, 27 Shkurt, policia angleze dhe Interpol Tirana më arrestojnë dhe më çuan drejt e në gjyq. 13 ditë ndenja në burg dhe më pas ndenja në burg shtëpiak 7 muaj. Pas 8 seancave të plota vjen testi i ADN-së me mua dhe nuk përputhet asgjë. Kështu më liruan dhe dola i pafajshëm”, tha Hajdin Sadiku./tvklan.al





Të ngjashme