Prokuroria e Posaçme publikoi këtë të enjte strategjinë e hetimit dhe parandalimit të krimeve zgjedhore për zgjedhjet që do të zhvillohen më 11 Maj. SPAK parashikon në strategjinë e saj, 7 objektiva:

1.Identifikimi sa më i shpejtë i indicieve mbi mundësitë e kryerjes së veprave penale dhe shkeljeve ligjore në kuadër të zgjedhjeve që mund të ndikojnë në integritetin e procesit zgjedhor.

2. Identifikimi dhe parandalimi i ndikimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit të funksionarëve shtetërorë dhe subjekteve private në procesin zgjedhor për të siguruar një proces të lirë dhe të ndershëm zgjedhor për Kuvendin 2025.

3. Përmirësimi i kapaciteteve hetimore të Prokurorisë së Posaçme për të hetuar dhe ndjekur rastet e veprave penale në kuadër të zgjedhjeve në mënyrë efektive.

4. Ndërgjegjësimi dhe edukimi i publikut mbi rëndësinë e bashkëpunimit me institucionet hetimore dhe rolin e tyre ndërveprues në parandalimin e krimit zgjedhor.

5. Rritja e efektivitetit të bashkëpunimit dhe koordinimit me institucionet publike, shoqërinë civile, median dhe çdo subjekt privat për të parandaluar veprat penale në kuadër të zgjedhjeve për Kuvendin 2025.

6. Parandalimi i ndikimit të jashtëm dhe manipulimit të procesit zgjedhor përmes monitorimit në kohë reale dhe ndërhyrjes së shpejtë në rastet e dyshimta të shkeljes së ligjit.

7. Kryerja e hetimeve profesionale dhe të shpejta për subjektet që kryejnë shkelje zgjedhore, duke dërguar një mesazh të qartë se krimi zgjedhor do të ndiqet dhe ndëshkohet.  

SPAK thotë se qëllimi i prokurorisë përmes strategjisë “është parandalimi dhe hetimi i veprave penale në kuadër të zgjedhjeve për Kuvendin 2025, përmes kryerjes së hetimit të veprave penale në mënyrë të plotë, në kohë të arsyeshme dhe me transparencë, në funksion kjo edhe të parandalimit të kryerjes së këtyre veprave penale”.

Kujtojmë se në planin e masave është ngritur një Task Forcë që do të drejtohet nga kreu i SPAK, Altin Dumani dhe në terren do të ketë disa grupe hetimore të ndara sipas qarqeve në vend.

Vetëm për Tiranën janë përcaktuar tre prokurorë të posaçëm: Altin Dumani, Adnan Xholi dhe Klodian Braho.

Pjesa tjetër vijon kështu:

Arben Kraja në Gjirokastër

Ols Dado në Elbasan

Dritan Prençi në Shkodër

Anita Jella në Kukës

Behar Dibra në Berat

Edvin Kondili në Durrës

Doloreza Musabelliu në Fier

Sotir Kllapi në Fier

Ervin Gokaj në Dibër

Vladimir Mara në Korçë

Elida Kaçkini në Vlorë

Bledar Maksuti në Vlorë

Manjola Kajana në Vlorë

Në strategjinë e SPAK parashikohet edhe verifikimi i raporteve mbi dyshimet e arsyeshme për keqpërdorimin e buxhetit dhe të investimeve publike gjatë periudhës zgjedhore prej subjekteve të posaçme.

Po ashtu do të monitorohen mediat dhe rrjetet sociale për indicie të mundshme në kryerjen e veprave penale.

SPAK do të bashkëpunojë gjatë kësaj periudhe me Prokurorinë e Përgjithshme, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Policinë e Shtetit, organizmat ndërkombëtare dhe organizatat e shoqërisë civile që monitorojnë proceset zgjedhore etj./tvklan.al