Komisioni-SiguriseDrejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave çdo vit e më shumë, po konstaton transaksione të dyshimta bankare, përfshirë këtu edhe transferimet e parave nga ana e politikanëve. Para Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, drejtori i këtij institucioni njoftoi, se po hetohen edhe politikanë dhe vetëm vitin e kaluar janë dërguar për hetim në Polici dhe Prokurori 7 të tillë, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur.

Drejtori i Përgjithshëm i Parandalimit të Pastrimit të Parave Gent Gazheli, para anëtarëve të Komisionit të Sigurisë, vlerësoi punën e ish-drejtuesve të këtij institucioni, por kritikoi Policinë dhe Prokurorinë, që sipas tij, bëjnë hetim të mangët dhe jo profesional.

Gjatë fjalës së tij, Gazheli u ndal edhe te bllokimi i aseteve dhe llogarive bankare të të arrestuarve të fundit për terrorizëm duke theksuar se janë bërë në kohë rekord. Ndërsa deputetet e opozitës, e cilësuan të vakët, raportin e Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, krahasuar me raportet vjetore të një OJQ-je.

Anduena Llabani