Manastirliu: Jemi ende në fazë aktive të epidemisë

7 raste të reja me koronavirus janë regjistruar në 24 orët e fundit, duke e çuar totalin në 773 të infektuar që prej nisjes së pandemisë në vendin tonë.

“Në 24 orët e fundit janë konfirmuar 7 raste pozitive me COVID-19, nga të cilat 3 raste janë në Krujë, 2 raste në Tiranë dhe 2 raste në Shkodër. Deri në këto momente janë testuar 8253 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 773 raste”.

Gjatë fjalës së saj në seancë parlamentare, Ministria e Shëndetësisë bëri me dije se vendi ynë është ende në fazë aktive të pandemisë.

Ne sot kemi rreth 272 persona të cilët janë aktivë, pra ndër 773 raste pozitive të diagnostikuara me COVID-19, 470 prej tyre rezultojnë të shëruar. Do të thotë që jemi ende në një fazë aktive të epidemisë, pavarësisht se jemi duke bërë atë përpjekje madhore në raport me hetimin agresiv kudo ku ka vatra të hapura të epidemisë. Sot konstatojmë rreth 100 vatra aktive në gjithë Shqipërinë, kryesisht vatra familjare dhe vatra në punë. Por ajo çka jemi duke bërë në territor është një hulumtim, një gjurmim epidemiologjik i cili po bëhet pa ndërprerje në 24 orë të ditës në mënyrë që të kemi mundësi të ndërpresim zinxhirin e infeksionit duke izoluar sa më shumë kontakte të mundshme”.

Numri i të infektuarve aktiv vijon të jetë më i ulët se i atyre që tashmë janë shëruar nga koronavirusi, ndërsa numri i të shtruarve vijon të jetë i ulët.

“Në shërbimin infektiv aktualisht janë 31 të shtruar. 6 pacientë janë në terapi intensive. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 5 pacientë të shtruar. 1 pacient është në terapi intensive në gjendje më të rënduar. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 36 pacientë”.

Një tjetër pacient ka humbur jetën në 24 orët e fundit, duke e çuar në 31 totalin e personave që nuk munden të fitojnë betejën me Covid-19.

Tv Klan