Gjykata e Posaçme dëgjoi këtë të martë pretendimet e 7 ish-zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës, mes të cilëve Redi Mollës dhe Mariglen Qatos, për akuzat e ngritura nga SPAK për korrupsion e pastrim parash në kuadër të dosjes së njohur si “5D”.
Për afro 3 orë, në seancë paraprake të pandehurit nëpërmjet avokatëve të tyre, deklaruan se ishin të pafajshëm dhe se akuzat e Prokurorisë së Posaçme, nuk qëndrojnë.
Për dy ish-drejtorët Molla dhe Qato, akuza e korrupsionit, ngritur nga SPAK nuk ka një fakt penal, pasi ata nuk mund të korruptonin veten. SPAK thotë se të dy ish-zyrtarët, nëpërmjet kompanisë “5D Konstruksion”, të cilën e drejtonin në hije, kanë përfituar 12 tendera nga institucione që drejtonin.
Më tej, hetuesit thonë se dy ish-drejtorët kanë pastruar paratë e përfituara nëpërmjet kësaj skeme duke i tërhequr cash dhe investuar në pasuri të paluajtshme.
Në përfundim të mbrojtjes së tyre, ata gjithashtu i kërkuan gjykatës gjykim të shkurtuar, duke dashur të përfitojnë edhe nga e drejta e uljes së dënimit, nëse në përfundim shpallen fajtorë.
Gjykata pasi dëgjoi palët, caktoi 14 Shkurtin për të shpallur nëse do ta kalojë këtë dosje për gjykim në themel ose jo. Për këtë çështje, të lidhur me kompaninë 5D, SPAK thotë se e ka ndarë një procedim me vete për persona të tjerë të dyshuar si të përfshirë dhe fakte të tjera penale.
Tv Klan