Policia serbe ka konfirmuar vdekjen e shtatë personave në aksidentin rrugor në autostradën Nish-Beograd në drejtim të Shkupit. Fillimisht ishin gjashtë të vdekur, por njëri prej të lënduarve ka humbur jetën përkundër përpjekjeve të mjekëve për ta shpëtuar.

Njoftimi i fundit i policisë serbe thotë se në aksident janë përfshirë 34 mjete, ndërsa ndihma mjekësore i është dhënë 27 personave, 17 prej të cilëve janë mbajtur në tri spitale të rajonit.

Mediat kanë raportuar se ka edhe shtetas shqiptar, por Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë nuk konfirmon një gjë të tillë dhe as Ambasada Shqiptare në Beograd. Burimet thonë se një i mitur shqiptar nga Tetova, 11 vjeç, është në gjendje kome.

Aksidenti kishte ndodhur në mëngjes pasi në këtë pjesë kishte mjegull të dendur dhe ka shkaktuar përplasje të shumë makinave. Autoritet serbe dhe emergjenca dolën në vendin e ngjarjes, por intervenimin e vështirësoi edhe fakti që kalimi deri tek spitalet ishte bllokuar.

Autostrada Beograd-Nish është një nga më të frekuenturat në Ballkan pasi lidh Kosovën, Maqedoninë dhe Bullgarinë në jug me Kroacinë e Hungarinë në anën tjetër.

Tv Klan