Të paktën shtatë persona kanë vdekur dhe më shumë se 50 të tjerë kanë mbetur të plagosur pas një shpërthimi në një shkollë në Pakistan.

Ky është bilanci i bërë publik nga policia lokale, ndërkohë spitali pranë qytetit verior Peshawar njofton se viktimat ishin mes moshës 20 dhe 30 vjeç.

Rreth 60 njerëz mendohet se kanë qenë në klasë në shkollën fetare, e njohur si një medrese. Një dëshmitar okular i ka thënë policisë se ai pa një burrë që hyri në ndërtesë me një qese me eksploziv pak para shpërthimit.

Lidhur me ngjarjen e rëndë autoritetet lokale kanë nisur hetimet, por asnjë grup nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë e sulmit.

Në fillim u raportuar se viktimat ishin fëmijë, por pas hetimeve zyrtarisht raportohet se mes viktimave nuk ka asnjë person nën 18 vjeç.

Qyteti i Peshawar ndodhet në kufi me Afganistanin dhe kohët e fundit ka rënë pre e sulmeve për shkak të kryengritjes së talibanëve./tvklan.al