Nëna e 4 fëmijëve rrëfeu ditën e sotme në programin “Historia ime”, në Tv Klan problemin shëndetësor të djalit të saj 7-vjeçar.

Kur vogëlushi ishte 3 vjeç, Klodiana Firanji kuptoi se djali nuk reagonte ndaj zhurmave dhe kishte vështirësi në të folur.

Pas vizitave, mjeku tha se djali ka probleme me dëgjimin dhe duhet të vendosë aparat dëgjimi dhe më pas të kryejë një ndërhyrje kirurgjikale.

Por nëna e ka të pamundur të paguajë shpenzimet, për shkak se kushtet ekonomike në familjen e saj nuk ia lejojnë këtë gjë.

Klodiana Firanji: Bëra një vizitë në Korçë, në një specialist që punon dhe në Selanik dhe në Korçë bëmë ca vizita dhe dolëm në përfundimin që duhen vendosur aparatet dhe më pas ndërhyrja kirurgjikale.

Mirela Milori: Ndërhyrja bëhet këtu në Shqipëri apo duhet bëri diku? Ke pyetur, je interesuar?

Klodiana Firanji: Tek ky doktori!

Mirela Milori:  Ky doktor merr përsipër dhe ndërhyrjen. Me çfarë kostosh, sa kushton operacioni?

Klodiana Firanji: 1200 euro.

Mirela Milori: Pra duhet 3 mijë euro për aparatin dhe 1200 euro për operacionin në mënyrë që të rikthehet dëgjimi. Çfarë garancie të jep mjeku mbas operacionit nëse bëhet ndërhyrja?

Klodiana Firanji: Më ka thënë që me këtë operacion besoj…

Mirela Milori: Që do jetë ndërhyrja përfundimtare?

Klodiana Firanji: Po! Ka dhënë rezultat dhe tek një fëmijë tjetër që është njësoj si Devi, që ka bërë këtë ndërhyrjen dhe më pas iu rikthye dëgjimi 100%.

Mirela Milori: Pra ka patur dhe një rast tjetër?

Klodiana Firanji: Po i njëjti rast si puna e djalit tim.

Mirela Milori: Fëmija tani dëgjon shumë mirë?

Klodiana Firanji: Po, i ka hequr dhe aparatet, falë Zotit.  

Mirela Milori: Dikujt mund t’i duken shumë pak 5 mijë euro, se ty e gjitha të shkon 4500, 5000 euro. Për ty janë shumë?

Klodiana Firanji: Po vërtet!

Mirela Milori: Me çfarë jeton?

Klodiana Firanji: Për momentin jam pa punë, kam 3 vjet që jam shkëputur nga puna. Punoj kështu 2-3 orë dhe kujdesem për Devin, se Devi e ka të nevojshme se vetëm me mua kuptohet dhe shprehet. Kurse burri punon me 3- mujorshe, hyn del në Greqi./tvklan.al