◾BE zbuloi këtë të mërkurë propozimet për sanksione të reja ndaj Rusisë, ku përfshihet ndalimi i importeve të naftës ruse deri në fund të këtij viti.

◾Planet, të cilat kanë nevojë për miratimin e vendeve anëtare, përfshijnë gjithashtu sanksione ndaj individëve, përfshirë kreun e Kishës Ortodokse të Rusisë.

◾Raketat ruse goditën 3 termocentrale në Lviv gjatë orëve të vona të së martës, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë në qytetin perëndimor, tha kryebashkiaku.

◾Vazhdojnë përpjekjet për evakuimin e qindra civilëve të bllokuar në bunkerë nën fabrikën e çelikut Azovstal në qytetin e Mariupol.

◾Më shumë se 100 të evakuuar nga kjo fabrikë mbërritën në Zaporizhzhia, gjatë orëve të vona të së martës.

“Putini ka dështuar”, flet ish-këshilltari i sigurisë kombëtare të SHBA-së

Sipas ish-këshilltarit të sigurisë kombëtare të SHBA, gjeneral Herbert McMaster, presidenti rus Vladimir Putin ka dështuar në qëllimet e tij fillestare të luftës.

“Të gjitha supozimet mbi të cilat Putini bazoi pushtimin e tij, dolën të rreme”, u shpreh gjenerali për Sky News, duke shtuar se presidenti rus dështoi në marrjen e Kievit dhe Odesës.

Edhe pse ekziston një mundësi që Putini t’i shpallë zyrtarisht luftë Ukrainës në 9 Maj, gjenerali McMaster tha se Rusia ka probleme që nuk mund të zgjidhen brenda disa javësh.

Sa i përket ofensivës së fundit të Rusisë në Ukrainën lindore, ish-këshilltari i sigurisë kombëtare tha se nuk beson se as ajo do të përmbushë objektivat e saj. Ai tha se ofensiva ka të ngjarë të dështojë dhe ukrainasit do të nisin një kundërofensivë.

Deri më tani, forcat ruse nuk kanë arritur të marrin asnjë qytet të madh, pavarësisht se disa ekspertë besonin fillimisht se Ukraina do të binte brenda pak ditësh.

U mbajt peng nga ushtarët rusë për 2 javë, gazetari rrëfen përjetimet

Një gazetar me bazë në Kiev që punon për “Breaking Defense” ka shkruar së fundmi një artikull ku ka përshkruar periudhën kur u mbajt peng nga ushtarët rusë. Gazetari dhe partnerja e tij ishin nisur drejt një stacioni treni për t’u larguar jashtë vendit, por makina e tyre u zu në pritë nga një njësi e ushtrisë ruse pranë qyteteve Irpin dhe Bucha.

“Makina ishte duke u goditur nga mitralozi, ne që ishim në makinë mbijetuam për mrekulli pavarësisht gjithë plumbave të shumtë që depërtuan dhe thyen xhamat. Pas plumbave, të gjithë u hodhëm jashtë dhe u larguam nga automjeti”, tha Johnson.

Gazetari tha se ushtarët më pas i mbajtën nën kërcënimin e armëve dhe vodhën sendet e tyre, duke përfshirë telefonat, paratë dhe një unazë ari.

Më pas, siç tregon gazetari ata u dërguan në një bunker nëntokësor nën aeroportin Hostomel, pak jashtë Kievit dhe mbaheshin të mbyllur në një dhomë tepër të lagësht pa ujë të rrjedhshëm, tualet ose ngrohje. Ata nuk kishin asnjë kontakt me botën e jashtme dhe nuk e kishin idenë se çfarë po ndodhte.

“Shumica e tyre ishin të rinj dhe nuk kishin qenë kurrë jashtë Rusisë në jetën e tyre”, tregon gazetari duke iu referuar ushtarëve rusë.

Përfundmisht, gazetarit dhe partneres së tij iu tha se do të liroheshin dhe më pas ata shkuan drejt kufirit me Bjellorusinë dhe pastaj udhëtuan për në Poloni.

Kremlini thotë se nuk do shpallë luftë më 9 Maj

Kremlini ka hedhur poshtë spekulimet se Presidenti Vladimir Putin planifikon të shpallë luftë kundër Ukrainës dhe të mobilizohet kombëtarisht, ditën kur Rusia përkujton fitoren e Bashkimit Sovjetik në Luftën e Dytë Botërore.

Festa më e madhe publike në Rusi, Dita e Fitores, mbahet çdo vit më 9 Maj. Lufta e Dytë Botërore kushtoi më shumë se 20 milionë jetë sovjetike.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov i ka quajtur spekulimet “të pakuptimta” dhe thotë se “nuk ka asnjë shans për këtë”.

Presidenti rus Vladimir Putin do të mbajë një fjalim më 9 maj dhe do të mbikëqyrë një paradë ushtarake në Sheshin e Kuq të Moskës, siç është zakon për Ditën e Fitores.

Pushtimi i Ukrainës është përshkruar si një “operacion ushtarak special” dhe jo luftë nga Rusia.

Shpërthim në një depo nafte në Donetsk

Një shpërthim që u pasua më pas nga një zjarr i përmasave të mëdha raportohet të ketë ndodhur këtë të mërkure, në një fabrikë nafte në rajonin e Donetsk. BBC shkruan se sulmi ndodhi në një depo të kontrolluar nga rebelët, që sipas agjencisë së lajmeve Donetsk, u shënjestrua nga forcat ukrainase.

Mendohet se objekti është në Makiyivka dhe është përdorur për të furnizuar me karburant ushtrinë ruse. Një person u vra dhe dy u plagosën, sipas një postimi në Telegram nga Republika Popullore e vetëshpallur e Donetskut. Separatistët e mbështetur nga Rusia janë në kontroll të zonës.

BBC shkruan se deri më tani nuk ka qenë në gjendje të verifikojë shkakun e zjarrit.

BE, mbështetje edhe për ushtrinë e Moldavisë?

Bashkimi Europian po shqyrton mundësinë për të shtuar mbështetjen ushtarake për Moldavinë, si një përpjekje për të shmangur përhapjen e luftës në fqinjin e Ukrainës.

Gjatë një vizite në kryeqytetin moldav Kishinau, presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel tha se BE po shikonte se si mund të forconte forcat e armatosura të vendit.

Komentet e tij vijnë pas serisë së shpërthimeve të ndodhura javën e kaluar në Transnistria, një rajon separatist i kontrolluar nga Rusia, i cili është pjesë e Moldavisë. Shpërthimet në fjalë ngritën frikën se konflikti mund të përhapet.

Raportet e fundit të bazuara në burime të inteligjencës ukrainase sugjeruan se Rusia mund të sulmojë Moldavinë në përpjekje për të forcuar ofensivën e saj në Ukrainën jugperëndimore.

Në Azovstal janë të strehuar rreth 500 persona të plagosur

Një prej personave të mbetur brenda uzinës Azovstal në Mariupol ka përshkruar kushtet atje për BBC. Mykhailo Vershynin, për programin Today të BBC Radio 4, tha se brenda kompleksit të madh industrial ndodhen më shumë se 500 persona me dëmtime të ndryshme.

200 prej tyre janë në gjendje kritike, tha Vershynin, i cili shtoi se gjendja shëndetësore e të plagosurve po përkeqësohej për shkak të mungesës së ndihmës mjekësore dhe kushteve jo higjienike.

Ka një “mungesë totale të gjithçkaje”, tha ai, qoftë ushqim, ujë apo mjekim.

Pavarësisht kushteve të dëshpëruara, mbrojtësit e Azovstal thonë se janë “gati për të luftuar deri në fund”. Vershynin, i cili ishte shef i patrullës së policisë para luftës, tha se mbrojtësit varionin në moshat nga 19 deri në 60 vjeç.

Të dielën, një grup i parë civilësh u evakuuan përfundimisht nga kompleksi i madh industrial. Dje, ata arritën në Zaporizhzhia.

Rusia paralajmëron NATO-n: Çdo mjet që transporton armë në Ukrainë do shkatërrohet

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu sapo ka lëshuar një paralajmërim të ashpër ndaj NATO-s kundër dërgimit të ndihmës ushtarake në Ukrainë.

Ne do ta shohim çdo mjet transporti të NATO-s që arrin në territorin e vendit që mban armë ose pajisje për ushtrinë ukrainase si një objektiv legjitim për shkatërrim“, thotë ai, i cituar nga media shtetërore ruse.

Ai akuzon NATO-n dhe aleatët se po vazhdojnë të “pompojnë Ukrainën plot me armë”.

SHBA dhe shtete të tjera perëndimore kanë armatosur Ukrainën në luftën e saj kundër pushtimit rus. Më e fundit ishte Britania e Madhe, e cila të martën njoftoi pajisje me vlerë 376 milion dollarë.

BE zbulon planin: Çfarë përmban paketa e 6 e sanksioneve kundër Rusisë

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen ka dhënë detaje për paketën e 6-të të sanksioneve kundër Rusisë, që vendet anëtare të BE pritet të bien dakord në ditët në vijim. Ajo renditi katër lloje të veçanta sanksionesh:

Oficerët e lartë ushtarakë rusë që kanë kryer krime lufte në Bucha dhe Mariupol do të jenë në shënjestër të sanksioneve: “Ne e dimë kush jeni, nuk do t’i shpëtoni përgjegjësisë.”

Sberbank, banka më e madhe e Rusisë, do të shkëputet nga sistemi i transfertave bankare SWIFT.

Tre transmetues të mëdhenj rusë në pronësi shtetërore do të shkëputen nga BE-ja në kabllo, satelit ose në internet. Von der Leyen i quajti ata “amplifikatorë të gënjeshtrave të Putinit”.

Von der Leyen tha se BE po njoftonte gjithashtu fundin e varësisë nga nafta ruse: “Nuk do të jetë e lehtë, por ne thjesht duhet ta bëjmë këtë.” E gjithë nafta ruse do të hiqet gradualisht, tha ajo, por në mënyrë të rregullt. Nafta e papërpunuar do të hiqet gradualisht në 6 muaj dhe produktet e rafinuara deri në fund të vitit 2022, tha ajo.

BE do të ndalojë naftën ruse, por nuk ka konsensus për gazin

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen sapo ka paraqitur detajet e një pakete tjetër sanksionesh kundër Rusisë që vendet e BE-së pritet të bien dakord në ditët në vijim.

Von der Leyen tha se blloku po i jepte fund varësisë nga nafta ruse, duke ndaluar blerjen e saj deri në fund të vitit.

Ajo pranoi se nuk do të ishte e lehtë, pasi disa vende ishin të varura nga importe të tilla. Hungaria ka kundërshtuar një embargo ndaj karburanteve ruse.

Megjithatë, siç shkruan BBC, sa i takon gazit mes 27 anëtarëve të BE-së nuk ka konsensus për ndalimin e tij.

Gjermania është e varur nga blerjet nga Moska. Siç tregon grafiku më lart, është blerësi më i madh në botë i gazit rus. Sidoqoftë, vlen të përmendet se të dhënat janë të vitit 2020 dhe që nga ajo kohë Berlini e ka reduktuar varësinë.

Bjellorusia zhvillon stërvitje ushtarake në veri të Ukrainës

Bjellorusia, një aleat i ngushtë rus dhe fqinj i Ukrainës në veri të saj, ka nisur stërvitjet ushtarake në shkallë të gjerë. Ministria bjelloruse e mbrojtjes tha se stërvitjet përfshinin testimin e mjeteve të ushtrisë së saj, por shtoi se stërvitja nuk përbën kërcënim për fqinjët.

Kur Rusia po godiste veriun e Ukrainës, përfshirë Kievin, disa javë më parë, zyrtarët ukrainas pretenduan se disa nga raketat dukej se vinin nga ana bjelloruse e kufirit. Të paktën tre raketa ruse goditën nënstacionet elektrike rreth qytetit perëndimor të Lviv, afër kufirit polak. Disa pjesë të qytetit janë pa energji dhe ujë pas atij që mendohej të ishte një sulm në rrjetin hekurudhor të Ukrainës. 

Gjithashtu ka pasur një intensifikimin të bombardimeve në fabrikës e çelikut Azovstal në qytetin port të Mariupolit ku rreth 200 persona janë ende të bllokuar. BE-ja pritet të përshkruajë sanksione të reja kundër Rusisë duke përfshirë një plan për heqjen e naftës ruse. Kjo është një lëvizje e madhe duke pasur parasysh se  shumë shtete anëtare janë të varura nga ky burim. 

Rusia sulmon me raketa 3 termocentrale në Lviv

Të paktën tre raketa ruse goditën nënstacionet elektrike rreth qytetit perëndimor të Lviv, afër kufirit polak vonë të martën.

Disa pjesë të qytetit janë pa energji dhe ujë, pas atij që mendohej të ishte një sulm në rrjetin hekurudhor të Ukrainës. Njerëzit vrapuan në rrugë ndërsa lajmi u përhap.

Këto ishin sulmet e para raketore ruse në Ukrainën perëndimore në më shumë se një javë.

Rusia ka shënjestruar më parë rrjetet hekurudhore. Ato janë vendimtare për të mbajtur furnizimet e armatimit perëndimor të rrjedhin në lindje.

Tw martwn Ukraina akuzoi Rusinë pwr bombardimin e punëtorëve në një fabrikë në qytet, në veri të Donestkut të kontrolluar nga separatistët.

Gjithashtu ka pasur një intensifikimin e bombardimeve të fabrikës së çelikut Azovstal në qytetin port të Mariupolit ku 200 persona janë ende të strehuar.

Autoritetet ukrainase po shqyrtojnë ngritjen e një korridori të ri humanitar pasi nxorën me sukses rreth 100 civilë jashtë qytetit dje.

REDAKSIA TVKLAN.AL